ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot përcaktimin e rregullave të hollësishme për mbikëqyrjen e veprimtarive të licencuara dhe të lejuara me bimën e kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.
Vendimi parashikon një sistem kontrolli të vazhdueshëm nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, duke përfshirë të gjitha fazat e aktivitetit, nga importi i farërave dhe kultivimi deri te prodhimi, magazinimi, transporti, eksporti dhe asgjësimi.
Sipas vendimit, kontrollet do të bazohen në analizën e riskut, të dhënat e regjistrit kombëtar, raportimet e subjekteve dhe historikun e përputhshmërisë me kushtet e licensës.
Një nga elementet e parashikuara është mundësia e kryerjes së kontrolleve të papritura, kur ka dyshime për shkelje, mospërputhje mes gjendjes faktike dhe të dhënave të regjistruara, mungesë raportimi apo incidente që cenojnë sigurinë.
Mbikëqyrja do të realizohet në terren, në distancë ose në mënyrë të kombinuar, përmes sistemeve elektronike, kamerave të sigurisë, sensorëve, mjeteve ajrore pa pilot dhe imazheve satelitore.
Punonjësit e autorizuar do të kenë të drejtë të hyjnë në ambientet e prodhimit, të kontrollojnë dokumentacionin dhe sistemet elektronike, të kryejnë fotografime e filmime dhe të marrin mostra për analiza.
Në rast pengimi të kontrolleve, hyrja në ambientet përkatëse mund të realizohet me mbështetjen e Policisë së Shtetit.
Agjencia do të rivlerësojë kushtet e licensës ose lejes të paktën një herë në tre vjet, si dhe sa herë që evidentohen ndryshime apo incidente që kërkojnë verifikim.
Në rast se subjekti nuk përmbush kushtet thelbësore ose nuk zbaton masat korrigjuese, Agjencia mund të propozojë pezullimin ose shfuqizimin e licensës apo lejes.
Për fazën e korrjes, subjektet do të duhet të njoftojnë Agjencinë të paktën 15 ditë përpara datës së planifikuar.
Pas korrjes, sasia e materialit dhe loti përkatës duhet të regjistrohen menjëherë në sistem. Materiali nuk mund të kalojë në fazën e tharjes, përpunimit, prodhimit, shitjes apo eksportit pa regjistrimin dhe verifikimet përkatëse.
Kontrollet do të përfshijnë gjithashtu kushtet e tharjes dhe përpunimit, temperaturën, lagështinë, higjienën, paketimin, etiketimin dhe ruajtjen e produkteve.
Vendim i përcakton se për kanabisin me qëllim industrial, një lot konsiderohet jokonform kur niveli i matur i THC-së, i vlerësuar së bashku me kufirin e sipërm të pasigurisë së matjes, tejkalon 0,8%.
Në vendim parashikohen gjithashtu masa të përkohshme sekuestrimi kur është e nevojshme të ruhet prova apo të parandalohet lëvizja, përpunimi ose zhdukja e materialit.
Konfiskimi mund të propozohet, ndër të tjera, kur materiali kultivohet, përpunohet, qarkullon ose posedohet nga subjekte të palicensuara, ose kur nuk është i shënjuar dhe i gjurmueshëm.
Transporti i kanabisit dhe produkteve të tij do të kryhet vetëm me mjete të përshtatshme, të mbyllura dhe të sigurta, në mënyrë që materiali të mos jetë i dukshëm apo i identifikueshëm nga jashtë.
Për eksportin, do të verifikohen autorizimet, dokumentacioni doganor, paketimi, etiketimi dhe gjurmueshmëria e ngarkesës deri në pikën doganore.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministria përgjegjëse për shëndetësinë, ministria përgjegjëse për bujqësinë, ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë, Policia e Shtetit, administrata doganore, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe institucionet e tjera të përfshira.
Vendimi hyn në fuqi pas vendimit në Fletoren Zyrtare.
/m.q/r.e/a.f/



























