ATSH/ – Flokët e thinjur janë konsideruar prej kohësh si një shenjë e pashmangshme e plakjes, një kujtesë vizuale e kalimit të viteve dhe e ndryshimeve që shoqërojnë organizmin, sipas https://www.independent.co.uk/.

Por, kërkimet e reja shkencore po sfidojnë këtë këndvështrim të thjeshtë, duke treguar se fijet e argjendta mund të jenë një shenjë e mekanizmave mbrojtës të organizmit kundër kancerit.

Një studim i ri te minjtë ka zbuluar mënyrën e jashtëzakonshme se si organizmi menaxhon dëmtimin qelizor, një proces që lidhet si me plakjen, ashtu edhe me kancerin.

Gjatë plakjes, dëmtimi qelizor dobëson gradualisht funksionimin e qelizave. Ndërsa te kanceri, qelizat e dëmtuara dhe të pariparuara mund të shkaktojnë rritje jonormale dhe formimin e tumoreve.

Studimi ka nxjerrë në pah një lidhje të papritur mes humbjes së pigmentit të flokëve dhe mekanizmave që mund të ndihmojnë në parandalimin e disa kancereve të rrezikshme.

Në qendër të këtij zbulimi janë qelizat burimore të melanociteve. Ato ndodhen thellë në folikulat e flokëve dhe shërbejnë si rezervuar për melanocitet, qelizat që prodhojnë pigmentin përgjegjës për ngjyrën e flokëve dhe lëkurës.

Në kushte normale, qelizat burimore të melanociteve furnizojnë vazhdimisht me qeliza të reja pigmentuese përmes një procesi ciklik rigjenerimi.

Ky proces përfshin faza të përsëritura aktiviteti, pushimi dhe rinovimi, në sinkron me ciklet natyrore të rritjes dhe rënies së flokëve.

Kjo siguron një furnizim të vazhdueshëm me pigment dhe, për pjesën më të madhe të jetës, ruan ngjyrën e flokëve.

Megjithatë, çdo ditë qelizat e organizmit përballen me dëmtime të ADN-së, materialit gjenetik që ndodhet brenda qelizave.

Këto dëmtime mund të shkaktohen nga rrezatimi ultravjollcë, ekspozimi ndaj substancave kimike dhe madje edhe nga vetë proceset metabolike të qelizave.

Dëmtimi qelizor kontribuon si në plakje, ashtu edhe në rrezikun e zhvillimit të kancerit, përfshirë melanomën, një lloj kanceri të lëkurës.

Studimi i ri tregon se çfarë ndodh kur qelizat burimore të melanociteve, të vendosura thellë në mjedisin mbështetës të folikulit të flokut, pësojnë dëmtime të ADN-së, veçanërisht një lloj dëmtimi të njohur si thyerje e dyfishtë e vargut të ADN-së.

Kur kjo ndodh, qelizat burimore të melanociteve mund t’i nënshtrohen një procesi të quajtur senodiferencim. Në thelb, kjo do të thotë se qelizat burimore maturohen në mënyrë të pakthyeshme në qeliza pigmentuese dhe më pas zhduken nga rezervuari i qelizave burimore.

Si pasojë, me kalimin e kohës shfaqen flokët e thinjur.

Ky proces mbrojtës kontrollohet ngushtë nga rrugë sinjalizuese të brendshme që u mundësojnë qelizave të komunikojnë me njëra-tjetrën. Duke larguar qelizat e pjekura nga popullata e qelizave burimore, organizmi mund të parandalojë grumbullimin dhe përhapjen e mundshme të mutacioneve gjenetike ose ndryshimeve të ADN-së që mund të favorizojnë zhvillimin e kancerit.

Në njëfarë kuptimi, çdo fije floku e thinjur mund të shihet si një formë sakrifice qelizore: një qelizë zgjedh të largohet në vend që të rrezikojë të shndërrohet në qelizë malinje.

Thinjat, megjithatë, nuk janë vetë një mburojë kundër kancerit. Ato janë një pasojë e një procesi mbrojtës që eliminon qelizat potencialisht të rrezikshme.

Në të kundërt, kur mekanizmat e kontrollit dështojnë ose ndikohen nga faktorë kancerogjenë, krijohet mundësia për zhvillimin e një tumori malinj.

Ky kuptim i ri mund të ndihmojë gjithashtu në shpjegimin se pse rreziku i zhvillimit të kancerit rritet me moshën.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohen kufizimet e këtyre gjetjeve.

Pjesa kryesore e provave vjen nga eksperimente të kryera te minjtë. Për këtë arsye, nevojiten studime të mëtejshme te njerëzit për të kuptuar nëse qelizat burimore të melanociteve funksionojnë në mënyrë të ngjashme edhe në organizmin e njeriut.

Dallimet biologjike mes specieve, së bashku me kompleksitetin e stilit të jetesës dhe faktorëve gjenetikë te njerëzit, nënkuptojnë se marrëdhënia mes thinjave dhe rrezikut të kancerit është më komplekse.

Megjithatë, zbulimet hapin mundësi të reja për kërkimet mbi kancerin dhe plakjen.

Historia e flokëve të thinjur, pra, nuk lidhet vetëm me pamjen e jashtme apo me kalimin e pashmangshëm të kohës.

Ajo lidhet me evolucionin, përshtatjen dhe vigjilencën e vazhdueshme të mekanizmave mbrojtës të organizmit.

Fijet e argjendta mund të jenë një tregues i një procesi biologjik më të thellë: në përballjen mes plakjes dhe kancerit, organizmi mund të sakrifikojë një qelizë pigmentuese për të mbrojtur tërësinë e tij./  a.jor.