Të gjithë votuan në favor të projektligjit, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.
Kryeministri Albin Kurti tha se për zbatimin e një strategjie shtetërore dhe kombëtare lidhur me proceset në Hagë, Kosovës i duhen institucione funksionale. “Për ta zbatuar strategjinë na duhen institucione funksionale, president dhe qeveri stabile”, tha Kurti.
Më herët, ai tha se “adresa e fitores është apeli” dhe se për këtë nevojitet organizim që nuk duhet të jetë partiak.
Kurti paralajmëroi se gjatë ditës së sotme do të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza për çështjen e presidentit.
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj ka kërkuar që Projektligji për Dhomat e Specializuara në Hagë të miratohet në dy leximet gjatë ditës së sotme.
“Ne jemi ofenduar me një vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së, është ofendim për popullin e Kosovës, për gjakun tonë, për këtë parlament. Edhe për drejtësinë. Edhe nuk është në emrin tim. Nuk është në emrin e popullit të Kosovës. Pra, nderi i shqiptarëve, nderi i yti, nderi i këtij Kuvendi, pa marrë parasysh si do të na vlerësojnë të tjerët – duke qenë se jemi ata që e dimë më së miri të vërtetën tonë – do të ishte ligj për anulimin e kësaj gjykate. Kjo do të ishte përgjigjja, kjo do të ishte përgjigjja e drejtë për fyerjen që na është bërë me vendim dënues për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ligjin e sotëm, Aleanca e voton dhe i kërkojmë këtij parlamenti me mocion, që të vendosë në dy leximet dhe ta kryejmë sot”, tha ai.
Komisioni për legjislacion, më herët miratoi me 9 vota pro dhe asnjë kundër nismën e PDK-së lidhur me ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se ky ligj nuk i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë nga Dhoma Kushtetuese në Hagë.
Qeveria e Kosovës të premten i hapi rrugë procedimit të nismës për ndryshimin e këtij ligji. Ekzekutivi konstatoi se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e projektligjit në Kuvend.
Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ndërkohë, para ndërtesës së Kuvendit janë mbledhur protestues në mbështetje të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protestuesit kanë qëndruar gjatë gjithë natës para ndërtesës së Kuvendit, duke bërë thirrje që t’u bashkohen të gjithë qytetarët, pa dallime partiake, me sloganin: “Bashkë për një kërkesë: Votojeni ligjin!”.
Ata shprehen se ndryshimi i ligjit është i nevojshëm dhe u kanë bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin nismën.



























