ATSH/ Policia e Shtetit ka arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës shtetasin ukrainas Anatolii Streletskyi, i cili kërkohej nga autoritetet në Kiev nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një organizate kriminale.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur përmes një postimi se, arrestimi u bë pas shkëmbimit të informacionit me Njësinë e Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike pranë Ambasadës amerikane.
Pas ndalimit të tij, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët ukrainas për nisjen e procedurave të ekstradimit.
Ambasada e SHBA-së vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shkëmbimin në kohë reale të informacionit, duke theksuar se partneriteti mes autoriteteve të zbatimit të ligjit kontribuon në luftën kundër krimit transnacional dhe në garantimin e sigurisë së komuniteteve.
/gj.m/r.e/a.f/



























