ATSH/ Kredia studentore do të mbështesë deri në 500 të rinj për të përballuar tarifat e studimit dhe shpenzimet e jetesës për vitin akademik 2026-2027.

Kjo skemë e mbështetur nga Qeveria Shqiptare synon t’u krijojë studentëve mundësi më të mira financimi për vijimin e arsimit të lartë, duke lehtësuar përballimin e shpenzimeve që lidhen me studimet dhe jetesën.

Në fjalën e saj në aktivitetin për hapjen e thirrjes për Financimin e Studimeve të Doktoraturës 2026, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro theksoi se “kjo skemë synon të lehtësojë barrën financiare për studentët dhe familjet e tyre”.

“Aktualisht janë hapur thirrjet për kredi studentore nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, një skemë që mbështet kostot e studimit. Një nga elementet kryesore të saj është mbulimi i normës së interesit nga buxheti i shtetit, dhe studentit i mbetet aktualisht një normë interesi prej vetëm 0.5%”, vuri në dukje Kumbaro.

“Kredia mund të përdoret si për pagesën e tarifës së studimit, ashtu edhe për kostot e jetesës, dhe këtë e them me qëllim, sepse për shumë familje pengesa nuk është vetëm tarifa, por edhe qiraja, ushqimi e transporti. Pra është një skemë përmes së cilës Ministria e Arsimit mund të mbështesë jo pak, por deri në 500 studentë”, sqaroi ministrja Kumbaro.

Aplikimet për kredinë studentore për vitin akademik 2026–2027 u hapën më 6 tetor dhe do të vijojnë deri më 4 nëntor.

/k.s/j.p/