ATSH-ANSA/ – Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, deklaroi se Bashkimi Evropian do të mbetet i paplotë pa anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate, duke shprehur mbështetjen e Italisë për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Italia do ta konsiderojë gjithmonë Bashkimin Evropian të paplotë dhe të gjymtuar, derisa pjesë e tij të bëhen Shqipëria dhe vendet e tjera kandidate, gjë që shpresoj të ndodhë sa më shpejt”, u shpreh Mattarella.

Deklarata u bë gjatë takimit që presidenti italian zhvilloi dje në Pallatin Presidencial Quirinale me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe një delegacion kryetarësh të bashkive italiane në territoret e të cilave jetojnë komunitete arbëreshe.

Sipas Mattarellës, perspektiva e integrimit evropian lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e popujve të Ballkanit Perëndimor, për të cilët ky proces përfaqëson një projekt të qëndrueshëm paqeje, lirie dhe përparimi.

Gjatë takimit, presidenti italian vlerësoi gjithashtu rolin e komuniteteve arbëreshe si një shembull i miqësisë dhe integrimit të suksesshëm, duke theksuar se ruajtja e rrënjëve, kulturës dhe gjuhës nuk e pengon integrimin në një shoqëri tjetër, por kontribuon në pasurimin e saj.

Mattarella nënvizoi se mbrojtja e pluralizmit, si një nga shtyllat e demokracisë, është pjesë e pandashme e parimeve themelore të Evropës.

Ai vlerësoi gjithashtu lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Italisë dhe mbështetjen e Romës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.