TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 53 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 janë të intubuar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar në vendin tonë janë aktualisht 608 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
“Të nderuar qytetarë, shtimi i rasteve pozitive në aktivitete biznesi, institucione publike dhe private, ndërmarrje me shumë punëtorë mund të shoqërohet me rritje të shtrimeve në spitale dhe të atyre që kanë nevojë për terapi intensive. Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara.
Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur dhe mos i harroni kur dilni nga shtëpia. Vendosini ato kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh. Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim”, u shpreh Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik.
Ajo informoi qytetaret se “ju nuk e dini nëse dikush pranë jush është bartës i virusit. Mbroni veten dhe familjet tuaja. Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Tregoni nëse keni simptoma e qëndroni në shtëpi kur prisni përgjigjen e tamponit apo kur jeni në karantinë.
Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID-19”.
ATSH