ATSH/- Një anije spitalore e Luftës së Dytë Botërore, e mbytur në vitin 1941 në brigjet e Shqipërisë, është shndërruar dekada më vonë në një ekosistem të pasur nënujor, sipas medias britanike “BBC Wildlife”.
Studiuesit kanë zbuluar 151 specie që jetojnë në dhe përreth rrënojave të saj, përfshirë edhe fokën mesdhetare, një nga gjitarët më të rrallë dhe më të rrezikuar të Mesdheut.
Zbulimi i specieve dëshmon rëndësinë ekologjike të këtij ekosistemi nënujor, i cili është shndërruar në strehë për një biodiversitet të pasur.
Prania e fokës mesdhetare e rrit edhe më tej vlerën e këtij habitati dhe nënvizon nevojën për mbrojtjen e tij.
Zhytësit zbritën në rrënojat e anijes dhe zbuluan një gjitar të rrallë mes tyre.
Anija e mbytur, 135 metra e gjatë, është shndërruar në një shkëmb nënujor artificial, ku jetojnë lloje të ndryshme peshqish, kallamarë dhe foka mesdhetare, një nga gjitarët më të rrallë të Mesdheut dhe një specie e rrezikuar në mënyrë kritike.
85 vjet më parë, anija spitalore e Luftës së Dytë Botërore, e quajtur “Po”, u mbyt në brigjet e Shqipërisë.
Sot, mbetjet e saj të ndryshkura janë shndërruar në një shkëmb nënujor artificial, të mbushur me forma të ndryshme të jetës detare, nga sfungjerët dhe ascidiet deri te peshqit luan, kallamarët dhe një prej gjitarëve më të rrallë të Mesdheut.
Anija, e gjatë 135 metra, përfundoi në shtratin e detit, rreth 1,6 kilometra nga bregu dhe 35 metra nën sipërfaqen e ujit, ku qëndroi kryesisht e paprekur deri në vitin 2005, kur u lokalizua nga zhytësit.
Që prej atëherë, ajo është shndërruar në një destinacion për turizmin arkeologjik, si dhe në objekt të kërkimeve shkencore.
Studiuesit italianë donin të përcaktonin se si trupi i anijes kishte ndikuar në formësimin e ekosistemit detar lokal.
Për këtë arsye, gjatë periudhës 2022–2024, ata kryen 32 zhytje nën ujë dhe përdorën studime me sonar me rezolucion të lartë, si dhe fotografi tredimensionale, për të dokumentuar rrënojat e anijes dhe mjedisin përreth tyre.
Gjetjet, të publikuara në revistën shkencore “Frontiers in Ocean Sustainability”, zbuluan një larmi të madhe të jetës detare, duke identifikuar gjithsej 151 specie.
Më shumë se 80 për qind e sipërfaqes së anijes është kolonizuar nga sfungjerë, ascidie (kafshë detare të vogla), midhje, goca deti dhe organizma të tjerë jovertebrorë.
“Fletët metalike ofrojnë një sipërfaqe të fortë ku mund të zhvillohet jeta detare, si dhe shërbejnë si strehë për kafshë më të mëdha”, tha Simone Modugno, nga Instituti Italian i Kërkimeve Mjedisore, IRSSAT.
Në zonë u vërejtën dhjetëra specie të zakonshme të peshqve të Mesdheut, përfshirë skllevër, kocë deti, qefull dhe gurabardhë.
Në rrënojat e anijes u gjetën gjithashtu grumbuj vezësh kallamari, të ngjitura në strukturën e saj, duke ofruar dëshmi se anija po përdoret si zonë shumimi dhe rritjeje për organizmat detarë të rinj.
U regjistruan edhe peshqit luan, me pamje të veçantë.
Kjo specie gjendet zakonisht në Detin e Kuq, por po zgjerohet drejt veriut përmes Mesdheut.
Kjo sugjeron se rrënojat e anijes mund t’i ndihmojnë në këtë përhapje, duke shërbyer si një lloj “pikëkalimi” midis zonave të ndryshme detare.
Në zonë u vunë re edhe gjitarë detarë.
Disa vite më parë, u fotografua një fokë mesdhetare në këtë zonë.
Më pas, në vitin 2023, një tjetër fokë u pa pranë anijes “Po”, duke shënuar vrojtimin e parë të konfirmuar të kësaj specieje në Gjirin e Vlorës që prej vitit 1996.
Mendohet se kjo fokë, e klasifikuar si specie e rrezikuar në mënyrë kritike, mund ta përdorë rrënojën e anijes si një vend të përkohshëm për pushim ose ushqyerje.
Anija “Po” ndodhet brenda Parkut Detar të Karaburun-Sazanit, një zonë e mbrojtur detare.
Modugno, i cili po krijon një model tredimensional të rrënojave, që mund të eksplorohet përmes realitetit virtual, shpreson se projekti më i gjerë do të ndihmojë në forcimin e masave për ruajtjen e biodiversitetit, në promovimin e historisë së anijes dhe në bërjen e saj të aksesueshme për një numër më të madh njerëzish.
“Këto projekte janë thelbësore për promovimin e turizmit dhe për t’u mundësuar njerëzve të shijojnë natyrën nënujore”, tha ai.



























