TIRANË, 17 qershor/ATSH /Mijëra banorë të Sheqishtes dhe gjithë njësisë administrative Zharrëz kanë tanimë një qendër shëndetësore tërësisht të re, kopsht si dhe qendër multifunksionale fare pranë banesave të tyre.
Bashkia e Patosit ka informuar se kanë përfunduar punimet e kësaj qendre multifunksionale ku banorët do të përfitojnë shërbime të ndryshme.
Ndërtimi i këtyre ambienteve të reja në një godinë dykatëshe në Sheqishte, vjen në sajë të një donacioni nga Programi i Ndihmave Humanitare të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Europën , nëpërmjet Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën Amerikane në Tiranë , në bashkëpunim me bashkinë Patos , e cila i ka drejtuar kësaj agjencie kohë më parë kërkesën për mbështetje financiare.
Falë këtij investimi banorët do të kenë më afër shërbimin parësor shëndetësor, kopshtin për fëmijët e tyre, dhe shërbime të tjera që do të mundësohen për zonën në qendrën multifunksionale. Punimet e kësaj qendre kanë nisur në 2019.
ATSH