Ditën e sotme, kryeqyteti shqiptar priti Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”, që kishte në fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të rajonit.
Samiti zhvilloi punimet në Pallatin e Brigadave, ku diskutimet u përqendruan në përshpejtimin e reformave, zbatimin e Planit të Rritjes, prioritetet e reja strategjike dhe integrimin ekonomik të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Po ashtu, përgjatë dy ditëve (25-26 nëntor), në Tiranë zhvilloi punimet edhe Konferenca e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, një tjetër format i rëndësishëm që erdhi në edicionin e tij të dytë në kryeqytetin shqiptar.
Ndërkohë dy ditë më parë Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Samitin BE – Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Bruksel, nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Europian, António Costa, një takim i nivelit të lartë që shërbeu si një mundësi për të riafirmuar angazhimin e Bashkimit Europian ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, progresit të reformave kyçe dhe përmbushjes së angazhimeve në kuadër të procesit të integrimit.
Kryeministri Edi Rama i cilësoi këto 48 orë “të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor”, ndërsa ndau momente nga këto samite të rëndësishme nga Brukseli në Tiranë, që kishin në fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e procesit të integrimit evropian përmes reformave dhe mundësive të reja të zhvillimit ekonomik.
Në samitin e Planit të Rritjes, komisionerja për Zgjerimin Marta Kos konfirmoi sot në Tiranë se Komisioni Europian po përfundon vlerësimin e vetë dhe Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të përfitojë 185,6 milionë euro.
“Udhërrëfyesit që ne kemi përgatitur janë një shenjë e qartë e besimit tonë për Shqipërinë, që Shqipëria mund t’i arrijë rezultatet, por është edhe përgjegjësia jonë që të bëjmë punën tonë pasi të dyja palët duhet të bëjnë punët e tyre”, u shpreh ajo.
Kryeministri Rama theksoi se Plani i Rritjes për Shqipërinë po ecën shumë mirë dhe Shqipëria do të marrë nga plani edhe 15% fonde plus së shumës së saj në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera.
“Shqipëria hyri në sistemin europian të transaksioneve të parasë dhe pagesave dhe në 11 muaj janë përpunuar 788 mijë transaksione me një vlerë prej 8, 7 miliard euro dhe kursimet deri tani të shqiptarëve falë hyrjes në këtë sistem janë 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është për deri në 71 milionë euro në vit kursime nga xhepi i qytetarëve shqiptarë dhe i bizneseve”, u shpreh sot Rama në samitin e Planit të rritjes, ku ritheksoi objektivin për Shqipërinë në BE në vitin 2030.
/m.m/r.e/



























