ATSH/ Qeveria shqiptare i është gjendur pranë biznesit në këtë situatë të krijuar prej COVID-19 përmes 2 paketave ndihmëse dhe 2 garancive sovrane, që u mundësoi atyre jo vetëm pagat për gati çerek milioni punonjës, por edhe fondet e nevojshme për investime.

Vasili Kukaj është njëri prej sipërmarrësve që ushtron aktivitetin e tij në Krajan të Lezhës.

Vasili përfitoi pagën e luftës prej 40 mijë lekë, pas mbylljes së punishtes së tij artizanale nga COVID-19.

Mjeshtër i vërtetë i qeramikës që pasi mësoi zanatin në Itali, u kthye në shtëpi, në Krajn të Lezhës, prej 20 vitesh ka ngritur punishten e tij të qeramikës, duke shkruar aty historinë e një shqiptari të dashuruar me kulturën dhe etnografinë.

“Është hera e parë që qeveria u ndodh pranë nesh. Për biznesin e vogël nuk është pak mbështetja e qeverisë sepse ne kemi një punishte artizanale”, u shpreh Kukaj.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj e cila u ndal në punishten e Vasilit për t’u njohur me punën e tij, tha se fokusi dhe kujdesi i qeverisë është te biznesi i vogël, sepse në rastet e mbylljes dhe rënies së aktivitetit është ai që goditet më shumë.

“Si fillim stepet njeriu, por kur tjetri të jep një shpresë ke ku kapesh, prandaj e çmoj që qeveria e pati vëmendjen”, vijon bisedën Kukaj.

Prodhimet e tij Vasili i shet edhe përmes rrjetit online.

Nga Paketa e Zgjeruar deri tani kanë përfituar bonusin prej 40 mijë lekësh 167 206 individë, ndërsa 65 mijë punonjës kanë përfituar pagën e luftës prej 26 mijë lekësh për një periudhë 3-mujore. /a.gjonaj/ /a.g//r.e/