ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi sot seancën dëgjimore me kandidatin për pozicionin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, i propozuar nga Presidenti.

Kandidati për kreun e KLSH-së, Shehu, paraqiti për komisionin një panoramë të jetëshkrimit të tij profesional, programit, vizionit dhe misionit të tij si drejtues i mundshëm i institucionit dhe më pas ai iu përgjigj pyetjeve dhe interesit të deputetëve të komisionit lidhur me çështje të caktuara, që lidhen me KLSH-në.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit mund të luajë një rol të rëndësishëm për sa i përket eleminimit të konkurencës së pandershme ekonomike dhe sigurimit të ndershmërisë në shërbimet publike”, tha Shehu.

Shehu po ashtu vuri theksin në luftën kundër krimit të organizuar.

Jashtë transmetimit, pa praninë e kandidatit, komisioni mori kohë që të vijojë diskutimin për kandidaturën, për t’ia paraqitur përmes një raporti të veçantë Kuvendit.

Në përfundim të kësaj mbledhje, me shumicë votash, komisioni vendosi që kandidatura t’i përcillet seancës plenare për procedurat e mëtejshme.

Seancat dëgjimore të Kuvendit kanë nisur pas vakancës së krijuar në përfundimin e mandatit të kreut aktual të KLSH-së, Bujar Leskaj. Tre kandidaturat e propozuara më parë nga Presidenti i Republikës, nuk janë miratuar nga Kuvendi. /a.gjonaj/j.p/