TIRANË, 24 qershor/ATSH/ -771 familje, përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Kamzë.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli u shpreh sot gjatë takimit për nisjen e dhënies së granteve të rikonstruksionit dhe riparimit të banesave individuale në Bashkinë Kamzë, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ku merrnin pjesë dhe kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, se, “sot jemi pranë 771 familjeve të cilat u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit, të klasifikuara Ds1, Ds2 dhe Ds3 dhe përfitimi është 163 890 lekë apo 1.6 milionë dollarë”.
“Konkretisht në këtë moment që flasim në 3 njësi administrative Kamzë, Paskuqan dhe Bathore vazhdon shpërndarja pranë postave. Kemi planifikuar duke pasur parasysh edhe pjesën e pandemisë, duke lënë një orar personave të telefonuar që të mos grumbullohen të gjithë njëherësh, por në çdo 15 minuta të paraqiten qytetarët për të tërhequr fondet”, tha ai.
“Janë firmosur 771 kontrata me 771 familje dhe madje i kemi pajisur dhe me lejet e nenit 6 që të mos vijnë dhe njëherë tek njësia për të vazhduar riparimin e shtëpive të tyre”, theksoi Suli.
Ne si bashki, shtoi ai, “kemi ngritur dhe një zyrë rindërtimi për t’i ndjekur hap pas hapi edhe investimet edhe pse jo për të afruar dhe asistencë këtyre familjeve nëse do të kenë nevojë”.
Gjithashtu, nënvizoi Suli, “jemi dhe në 4 objekte për arsimin 1 shkollë dhe 3 kopshte të cilat janë gati për të filluar investimi. Pra është mbyllur me tenderim i gjithë dokumentacioni, ku është gati fillimi i punës dhe në sistemin arsimor flas si shkollat dhe kopshtet. Vazhdojnë edhe projektet për shkolla dhe kopshte të tjera”.
Gjithsesi, tha Suli, “qytetarët e Kamzës, unë flas në emër të tyre, kanë një falënderim shpirtëror realisht. Se nuk e kanë menduar se nuk ka ndodhur 100 vjet dhe s’ka për të ndodhur as për 1000 vjet kjo që ka ndodhur. Sepse është rast unikal që ka ndodhur në botë që për herë të parë një qeveri arrin të dëmshpërblejë 100 % dëmet nga tërmeti. Edhe ne si bashki besoj që jemi munduar të jemi pranë tyre në çdo minutë, pa menduar as pushim në fundjavë”.
“Konkretisht jemi dhe në përfundim të 21 shtëpive të tërmetit të 21 shtatorit, ku sot madje janë futur edhe 2 familje në shtëpitë e tyre të reja. Flas për tërmetin e 21 shtatorit”, tha Suli.
“195 familje të cilave do u rindërtohet shtëpia nga e para, vazhdojnë sot dhe përfitojnë dhe bonusin e qirasë deri në momentin e përfundimit të shtëpive, të cilat janë të pabanuara. Këto pasi është bërë dhe rivlerësimi i thelluar nga Instituti që ka tagrin për këtë pjesë”, shtoi Suli.
I pyetur nga kryeministri Rama se deri tani sa janë shpërndarë nga ndihma financiare, Suli tha se, “mund të jenë rreth mbi 70 familje sepse sot ka fillaur nga ora 8 e gjysëm ka vazhduar shpërndarja. Vazhdon dhe në këtë moment. Dhe jo pa qëllim i vumë tek posta sepse do e kenë më të lehtë. Jemi më pranë familjarëve, më pranë qytetarëve. Çdo njësi ka postën e vet dhe ne kemi marrë masat që në mëngjes të vazhdojë shpërndarja normalisht madje duke përllogaritur që të mos kemi dhe grumbullime njerëzish për faktin e pandemisë”.
“Sot në 771 familje ndihet dora e shtetit pas shumë e shumë vitesh. Dhe me shumë të drejtë mbase ishin dhe mosbesues sepse zhgënjimi në vite normalisht edhe ndikon. Ishte e pabesueshme por ja që u bë realitet. Dhe këto janë fjalët e qytetarëve nuk janë fjalët e mia si kryetar bashkie i Kamzës”, tha Suli.
I pyetur nga Kryeministri se sa pika shpërndarje janë aktualisht, Suli tha se, “dy pika janë në Kamzë, një në Paskuqan dhe një në Bathore. Janë katër pika të planifikuara, të organizuara në mënyrë të jashtëzakonshme dhe po të shohim nuk ka as radhë. Madje janë marrë dhe masa mbrojtëse për pjesën e pandemisë”.
ATSH