Solidariteti duhet të jetë themeli i Europës së Bashkuar.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialsite, Taulant Balla ka publikuaur sot videon ku tregohet pritja që  Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio i ka dhënë sot 60 infermierëve shqiptarë, të cilët do të ndihmojnë Italinë në kapërcimin e situatës së pandemisë së koronavirusit, COVID-19.

“Solidariteti duhet të jetë themeli i Europës së Bashkuar. Ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio pret në aeroport ekipin e dytë të heronjve shqiptarë, infermierët që do të mbështesin luftën e bluzave të bardha italiane kundër Covid-19. Mirënjohje”, është shprehur Balla.

Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka falënderuar kryeministrin Edi Rama dhe popullin shqiptar për ndihmën ndaj Italisë në këtë periudhë të vështirë.

“Këto janë një tjetër pjesë e kontigjentit të bluzave të bardha që kanë ardhur për të na ndihmuar. Këta janë 60 infermierë që do të shkojnë drejt e në Marche. Autobusi i ushtrisë do t’i dërgojë në Marche në orët në vazhdim një nga zonat më të goditura. Falënderoj kryeministrin Edi Rama, të gjithë qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar, për dëshminë  e dytë të miqësisë me një shenjë konkrete të personave që do të shkojnë të shpëtojnë jetët e bashkëkombasve tanë, si dhe do të ndihmojnë mjekët dhe infermierët tanë të rimarrin frymë pas më shumë se një muaji rreth 40 ditë të një Italie në knock down të luftës ndaj virusit që po shfaq sinjalet e para pozitive”, u shpreh Di Maio.

“Italia ka marrë ndihma nga shumë vende, prej të cilave dhe Shqipëria, e cila nuk është kursyer, e cila ka treguar jo vetëm miqësi, por edhe një sens solidariteti të madh. Po i thoja ambasadores shqiptare që nëse shohim numrin e mjekëve dhe infermierëve të ardhur nga Shqipëria me numrin e banorëve të Shqipërisë kemi sigurisht proporcionin më të lartë të ndihmave të marra në raport me mjekët infermierët dhe operatorët e shërbimit shëndetësor nga vende të huaja. S’do t’ia dilnim dot kurrë pa ndihmat nga vendet e huaja. Dhe është falë këtyre personave që jemi, shpresojmë, duke e fituar luftën kundër këtij armiku të padukshëm”, tha Di Maio. /j.p/

Atsh