“Votimi sot në Kuvend i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor i dha mundësi shqiptarëve të kenë të drejtën e votës parapëlqyese për kandidatët për deputet”, tha sot deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari, gjatë një interviste televizive.

Hajdari theksoi se qytetarët shqiptarë kanë mundësinë për të patur një votë parapëlqyese dhe atë të drejtë e kam votuar në Kuvendin e Shqipërisë.

“Kur ne flisnim për votë parapëlqyese dhe për listat e hapura dukeshim komplet naivë në këtë bisedë. Ne sot, në momentin kur votuam ndryshimet kushtetuese ju garantoj se e kam bërë për të fuqizuar qytetarin shqiptar, në mënyrë që të ketë mundësinë për të patuar atë votë preferenciale që ai ka dëshirë, edhe pse sot PS na zhgënjeu, siç ka bërë dhe herë të tjera. Sot qytetarët shqiptarë kanë mundësinë për të patur një votë parapëlqyese dhe atë të drejtë e kam votuar në Kuvendin e Shqipërisë me mundin dhe luftën që kam bërë që me ndryshimet kushtetuese t’u japim shqiptarëve mundësinë për të patur një votë  parapëlqyese dhe kjo mundësi nuk do ishte sot nëse nuk do ishte bërë kjo betejë”, tha Hajdari.

Po ashtu Hajdari shtoi se, “luftova për një betejë ideale që të ishte 100% totale, por nuk arrita dot, dhe për këta jam e mërzitur sot. Por ama mos të harrojmë që në zgjedhjet e  ardhshme qytetarët do shkojnë me një votë parapëlqyese, sado e vogël mundësia dhe ndryshimi, të paktën arritëm diçka”.