Punonjëse të një fasonerie ku prodhohen qeset e letrës kanë protestuar në Korçë pasi nuk janë përfituese të pagës së luftës.

Mbi 50 vajza dhe gra u grumbulluan në shenjë proteste tek Drejtoria e Tatimeve ne Korçë për te kërkuar zgjidhje të situatës.

Biznesi ku ato punonin është mbyllur prej datës 10 mars si pasojë e koronavirusit por ato nuk kanë mundur të përfitojnë nga paketa e qeverisë të ashtuquajturën paga e luftës ndërsa për shumë prej tyre kjo ishte e vetmja e ardhur që u shërbente për të mbuluar shpenzimet e familjes.

Por Drejtoria Rajonale e Tatimeve nga ana e saj sqaroi se gjatë verifikimit të bërë punonjëset e biznesit fason nuk mund ta përfitojnë pagën e luftës për shkak se punëdhënësi i tyre i kishte hequr nga skema e sigurimeve para datës që ato mund të përfitonin këtë pagë.

Pak ditë më parë edhe tregtarët e tregut industrial të Korçës protestuan pasi nuk ishin përfitues të pagës së luftës nga paketa e parë e qeverisë.

Top Channel