ATSH-AFP/ – Japonia, ekonomia e tretë më e madhe në botë, zbuloi  hartën e saj për të arritur qëllimin e neutralitetit ndaj karbonit deri në 2050, përmes rritjes së pjesës së energjisë së rinovueshme dhe uljes së kostos së baterive për automjetet elektrike.

Kjo është hera e parë që vendi, prodhimi i energjisë i të cilit varet shumë nga lëndët djegëse fosile, detajon sesi synon të zvogëlojë emetimet e tij të gazrave serrë në zero nga mesi i shekullit XXI.

Kjo “strategji e rritjes së gjelbër”, e postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, përcakton veçanërisht si “objektiv tregues” që 50 deri në 60% të energjisë elektrike të vendit vijnë nga energjitë e rinovueshme.

Qeveria beson se një “ndryshim i rëndësishëm” në mentalitet është i nevojshëm për të kuptuar se “politikat që marrin parasysh mjedisin nuk janë një frenim, por një motor i rritjes”.

Qeveria ka njoftuar se po llogaritet gjithashtu në 30 deri në 40% të furnizimit me energji elektrike të siguruar nga termocentralet bërthamorë dhe termikë (të pajisur me sisteme të kapjes së CO2).

Japonia vlerëson se konsumi i saj kombëtar i energjisë elektrike do të rritet me 30-50% deri në 2050./  a.jor.