Aeroporti i Tiranës do të ulë tarifën e pasagjerit për këdo që do të udhëtojë përmes Rinasit. Një hap ky që do të ndikoje edhe në çmimin e biletave. Gjithashtu pritet që të investohen edhe 100 milionë euro që synojnë zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit.
Kushdo që do të udhëtojë përmes aeroportit të Rinasit do të paguajë më pak. Në njoftimin zyrtar Tirana International Airport bën me dije uljen e tarifës së pasagjerit nga 12.5 Euro në 10 Euro.
Si pasojë e këtij ndryshimi pritet të pësojë ulje edhe çmimi i biletës së avionit.
Ulja e tarifës së pasagjerit vjen 1 muaj pas marrjes në pronësi të aeroportit nga kompania shqiptare Kastrati Group, e cila më 18 dhjetor 2020 bleu aksionet nga kompania kineze “Real Fortress Limited”.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me ndryshimin e Kontratës së Koncesionit të miratuar në vitin 2004.
Si pjesë e ndryshimeve të Kontratës së Koncesionit, Tirana International Airport njofton se një paketë e plotë investimesh, të cilat arrijnë një total prej afërsisht 100 milionë Euro do të jetë në vëmendjen e menaxhimit duke patur në fokus, zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.
Bashkë me uljen e tarifës së pasagjerit, pjesë e paketës së ndryshimit të Kontratës së Koncesionit është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë) dhe liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve që do të sjellë kosto më të ulët në çmimin e këtij karburanti.
Të gjitha këto ndryshime të rëndësishme do kenë një efekt të menjëhershëm në tërheqjen e linjave të tjera “low cost”, përfshirë Ryan Air, dhe rrjedhimisht do të kenë efekt në uljen e çmimit të biletës që paguajnë udhëtarët e TIA-s.
Më tej, me lehtësimin e kushteve të udhëtimit pas pandemisë, këto vendime do të ndikojnë në shtimin e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve.
Ora News

























