ATSH/ Zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, u shpreh se fokus i qeverisë janë masat për rritjen e punësimit, veçanërisht në kushtet e vështira që krijoi situata e pandemisë.
Gjatë një interviste televizive, Kadia tha se “punësimi është derivat i disa treguesve në ekonomi”.
Në këtë konteks ai solli shifrat zyrtare të INSTAT, sipas të cilave, rezulton se janë rritur të ardhurat personale, eksportet dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) gjithashtu.
“Objektivi i qeverisë për rritjen e punësimit është mbajtur dhe kjo vërtetohet nga statistikat zyrtare. Padyshim që të kesh punësim duhet të kesh indikator kryesor rritjen ekonomike, ku ekonomia shqiptare ka performuar pozitivisht dhe PBB në këtë 7 vite ka shënuar rritje. Së dyti, formalizimi i ekonomisë është në trend rritjeje të qëndrueshme dhe mbi bazën e shifrave rezulton se numri i personave që paguajnë sigurime shoqërore është rritur”.
Ai tha se, papunësia afatgjatë apo strukturore, që ka të bëjë me atë se sa të aftësuar janë punëtorët për t’u integruar në tregun e punës, ka pësur rënie të ndjeshme vitin e fundit.
“Referuar statistikave, ne kemi ulje të papunësisë afatgjatë nga 12,3 % në 7.1 %. Pra ka rënë me 5% papunësia afatgjatë strukturore”, tha Kadia.
Duke u ndalur në disa prej politikave që po merr qeveria për nxitjen e punësimit ai veçoi, se “sot është mbajtur takimi i Komitetit për lehtësimin tregtar”.
“Ne po bëjmë çmos nëpërmjet CEFTA-s, që të lehtësojmë tregtinë e jashme. Po bëjmë strategjinë e re të investimeve të biznesit për vitet e ardhshme me ekspertizë ndërkombëtare, për të parë dhe ndryshuar zinxhirin e vlerës së prodhimit shqiptar. Gjithashtu po shohim mundësinë e strategjisë së eksporteve shqiptare me impakt rritjen e punësimit dhe të ardhurave”, deklaroi Kadia.
Sipas tij, qeveria adresoi mbështetje të drejtëpërdrejtë për biznesin në kushtet e vështira që krijoi pandemia kovid.
Kadia tha se, “aktualisht kemi ngritur një grup ekspertësh për të parë masat që duhet të ndërmarrë shteti, për sektorët më të prekur nga kjo situatë siç është turizmi për zhvillimin afatgjatë të tij”.
Gjithashtu nënvizoi ai, është komunikuar me prodhuesit fason që janë një sektor që punësojnë një masë të konsiderueshme personash, dhe po diskutojmë se çfarë mund të ndërmarrim në periudhën afatmesme për mbështetjen e këtij sektori


























