Një ngjarje e rëndë që mund të marrë përmasa tragjike ka ndodhur sot pasdite në një nga magazinat e qendrës tregtare “Casa Italia”.

Në këtë bodrum ku kishte materiale për shitje ka rënë zjarr, dhe shefi i sigurisë Arjan Sala është vënë menjëherë në lëvizje për të shpëtuar punonjësit, por mesa duket ka mbetur vetë brenda dhe dyshohet se është asfiksuar nga tymi dhe mund të ketë ndërruar jetë, pasi nuk përgjigjet në telefon.

Ndërkohë për mediat ka folur edhe xhaxhai i 30-vjeçarit, i prekur, i tronditur. Ai thotë se nuk merr informacion nga zjarrfikësit apo nga forcat e rendit, madje nuk e lënë që të kalojë teksa thotë se nëse kjo situatë zgjatet edhe më, do të hyjë vetë dhe nëse është nevoja do të konfrontohet edhe me policët.

“Unë jam xhaxhai i djalit që është brenda në magazinë. Djali e ka emrin Arjan Sala. Është shef i rojeve të sigurisë. Ngjarja ka mbi dy orë që ka ndodhur dhe zjarrfikësit kanë ardhur me shumë vonesë. Nuk reagojnë fare. Ai ka shpëtuar punëtorët dhe vetë ka ngelur brenda. Reagimi është i vdekur. Nuk na japin asnjëlloj sqarimi, vetëm të përplasemi me forcat e rëndit. Këtu po lozin me ne. Po erdhi pika zero ne do të futemi vetë brenda”, ka thënë ai për Ora news.