Arsyet e producentëve ishin të shumta. Stallone ishte një aktor i panjohur, i refuzuar në të gjitha audicionet, me një paralizë të lehtë të anës së majtë të fytyrës, një sy të varur dhe një mënyrë të foluri që, sipas tyre, nuk ishte e përshtatshme për një rol kryesor në film.

Për më tepër, ai kishte interpretuar vetëm disa role të vogla, kishte marrë pjesë edhe në filma erotikë dhe kishte punuar si biletashitës në një kinema. Ai nuk kishte as përvojë në boks.

Pikërisht këtë histori sjell filmi “Rocky sono io”, me regji të Peter Farrelly, i cili prezantohet në seksionin Grand Public të Festivalit të Filmit në Romë dhe do të shfaqet në kinema nga 31 dhjetori, nën shpërndarjen e Eagle Pictures.

Filmi rrëfen jetën e vërtetë të Stallone-s, një histori që, në shumë aspekte, është po aq kinematografike, në mos edhe më shumë, sesa ajo e personazhit të famshëm Rocky Balboa.

Në rolin e Stallone-s është aktori Anthony Ippolito, i njohur për interpretimin e Al Pacino-s në miniserialin “The Offer”. Ippolito do të marrë gjithashtu në Romë çmimin Progressive për karrierën.

Filmi trajton edhe marrëdhënien e vështirë të aktorit me të atin, Frank Stallone, të interpretuar nga Matt Dillon, si dhe historinë e dashurisë me Sasha Czack, rol që interpretohet nga Anna Sophia Robb dhe e cila më vonë bëhet bashkëshortja e tij.

Një vend të veçantë zë edhe Butkus, qeni besnik i racës mastif, me të cilin Sylvester ndan një natë si i pastrehë, në një nga periudhat më të vështira të jetës së tij.

Mes skenave më të njohura të filmit janë stërvitja duke goditur copa mishi në një kasap, vrapimi në shkallët e Filadelfias dhe momenti kur lind ideja për personazhin e Rocky Balboas.

Në vitin 1975, Stallone ndoqi një ndeshje boksi mes Muhammad Ali-t dhe Chuck Wepner-it, një boksier që konsiderohej dukshëm më pak i favorizuar. Megjithatë, Wepner arriti t’i rezistonte kampionit shumë më gjatë nga sa pritej.

Stallone mbeti i impresionuar nga ky njeri, i cili vazhdonte të luftonte edhe kur fitorja dukej e pamundur. Pikërisht nga kjo përvojë lindi ideja për Rocky Balboan, personazhin që do të shndërrohej në një prej ikonave më të mëdha të kinematografisë botërore.

Regjisori Peter Farrelly shprehet se nuk e nis asnjë film me synimin për të përcjellë një mesazh të caktuar, por për të argëtuar publikun. Megjithatë, ai thekson se, nëse duhet gjetur një mesazh në këtë histori, ai lidhet me rëndësinë e vullnetit dhe shpresës, përtej parasë.

“Unë nuk bëj kurrë një film duke menduar për mesazhin që duhet të përcjell. Përpiqem vetëm t’i argëtoj njerëzit dhe t’u pëlqej. Por, nëse duhet të gjejmë patjetër një mesazh, ai është kundër obsesionit për paranë: gjërat mund të realizohen nëse i dëshiron vërtet. Sot të gjithë duan të bëhen miliarderë si Elon Musk. Për t’u ndier më mirë, mjafton të kesh shpresë dhe të besosh”, shprehet Farrelly.

I pyetur për kritikat se filmi mund të jetë një kopje e Sylvester Stallone-s, regjisori thekson se synimi i tij nuk ishte të krijonte një karikaturë të aktorit, por të kapte thelbin e karakterit të tij.

“Shumë njerëz e kanë imituar Stallone-n, por ne donim vetëm të kapnim thelbin e tij dhe ta paraqisnim sa më të vërtetë, sikur publiku ta shihte përballë, në mish e në kocka”, shpjegon ai.

Nga ana e tij, Anthony Ippolito e cilëson Stallone-n një prej heronjve të tij dhe tregon se aktori e priti me entuziazëm realizimin e filmit.

“Stallone është një hero për mua. Ai e priti filmin me entuziazëm dhe ishte shumë i sjellshëm e bujar kur pranoi të takohej me mua një muaj përpara nisjes së xhirimeve. Patëm një bisedë jashtëzakonisht interesante. Ai më tregoi për marrëdhënien me producentët, për mënyrën se si ishte ndier gjatë periudhave më të vështira dhe për luftën që kishte bërë për të dalë prej tyre”, rrëfen Ippolito.

Ngjashmëritë mes filmit të ri dhe veprës origjinale “Rocky”, e cila fitoi tre çmime Oscar, nuk kufizohen vetëm te historia. Edhe mënyra e realizimit të tyre duket se ka shumë të përbashkëta.

Farrelly tregon se filmi u realizua me një buxhet të kufizuar dhe në një kohë shumë të shkurtër, një situatë e ngjashme me atë të filmit origjinal.

“Është e vërtetë që ky film pasqyron në shumë aspekte krijimin e ‘Rocky’-t. Nuk kishim një buxhet të madh, ashtu si ata në atë kohë. Filmi ‘Rocky’ u xhirua për 28 ditë, ndërsa ne ia dolëm edhe më shpejt, për vetëm 24 ditë. Vështirësia jonë ishte se duhej të krijonim përshtypjen se ngjarjet zhvilloheshin në vitet 1970. Në fund të fundit, mes dy produksioneve pati shumë ngjashmëri”, përfundon regjisori.

Historia e Sylvester Stallone-s mbetet kështu një dëshmi se suksesi nuk varet gjithmonë nga fama, mundësitë apo mbështetja financiare, por edhe nga këmbëngulja për të mos hequr dorë nga ëndrrat, edhe kur të gjithë të tjerët të thonë jo.   /os/