Dhimbja fantomë, dhimbje e cila ndjehet sikur vjen nga një pjesë e trupit e cila nuk është më.
Dhimbja fantomë, një dhimbje e cila prek ato persona që kanë gjymtyrë të prera ose organe të hequra. Sipas mjekut, këto persona ndiejnë dhimbje të forta.
I ftuar në emisionin Shëndet+, anestezisti dhe algologu Apostol Vaso, flet rreth dhimbjes fantomë.
“Të sëmurët që humbasin gjymtyrët si dorën dhe këmbën, por dhe organe siç është teroidja, tëmthi, mitra, gjiri, syri, dhëmbi etj., e kanë vazhdimisht perceptimin e humbjes. Organizmi ynë ka një njohuri mbi veten e vet, ai e di tërësinë e tij. Kur i sëmuri, ka humbur një këmbë atij i dhëmb këmba që i mungon; jo cungu, por pjesa që i mungon. Gjatë gjithë jetës ai e ndien sikur e ka. Ç’është kjo gjëja që dhemb pa qenë?” – thotë mjeku Apostol Vaso.
Për më tepër ai shprehet se kjo dhimbje lokalizohet tek kyçet, gishtat, te pjesa që mungon, te gishtat që nuk janë.
“Mjekimi i kësaj sëmundjeje bëhet me ilaçe, por jo vetëm. Nëse bëhet vetëm në preparate kjo dhimbje është komplet e pamjekuar. Duhen metoda invazive, duke vendosur nje aparat në një strukturë të palcës së kurrizit.” – u shpreh mjeku algolog Apostol Vaso.


























