Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se do të ishte shumë e rëndë pamundësimi i qytetarëve të Ballkanit për të udhëtuar normalisht në Europë për shkak të ndarjes së tyre në dy kategori, kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë perëndimore dhe kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë lindore.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Michael Roth, Rama tha se uron shumë që në këtë sezon veror ne të kemi sa më shumë turistë nga Gjermania.
“I thashë edhe ministrit, që ndryshe nga çfarë mund të perceptohej duke lexuar deklaratën e ministrit të Shëndetësisë gjermane, Shqipëria është vendi më i përshtatshëm sot në Europë për të ardhur me pushime”, tha Rama.
Por, Rama tha se do të ishte shumë më e rëndë sesa shtyrja e radhës e vendimit për miratimin e kornizës negociuese dhe Konferencës së parë Ndërqeveritare, pamundësimi i qytetarëve të Ballkanit për të udhëtuar normalisht në Europë për shkak të ndarjes së tyre në dy kategori, kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë perëndimore dhe kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë lindore.
“Unë shpresoj që të mos ndodhë kështu dhe uroj që edhe ju dhe miqtë e tjerë të na ndihmoni që ta përçojmë këtë mesazh. Nuk ka arsye pse të ndahen njerëzit në kategori, kur bëhet fjalë për të drejtën e tyre elementare të lëvizjes së lirë në bazë të të gjitha rregullave, por njësoj për të gjithë”, tha Rama.
Rama iu përgjigj edhe pyetjes nëse ka ndonjë sinjal për diferencimin e qytetarëve nga Ballkani për shkak të llojit të vaksinës.
“A ka sinjal që do ndahen, apo nuk do ndahen njerëzit e këtij kontinenti në dy kategori sipas firmës së vaksinës? Po edhe ka, edhe s’ka, por më mirë t’i dalim para tani sesa kur të ketë sinjal të plotë, se do jetë më e vështirë. Natyrisht që mbase nuk ndryshojmë gjë, por ne kemi për detyrë të themi të vërtetat tona pa pasur asnjë kompleks kur vjen puna për të drejtat tona. Sepse nuk është njësoj si kur vjen fjala te vendimi i Këshillit Europian sa i përket avancimit më tutje në një proces që ka të bëjë me hyrjen me të drejta të plota në shtëpinë e BE-së, dhe kur vjen fjala për një të drejtë bazike, themelore, siç është lëvizja e shqiptarëve, e cila është garantuar prej vitesh dhe nuk mund të fragmentohet se njëri ka bërë ‘Pfizer’, tjetri ‘Sinovac’, ‘Astrazeneca’ apo ‘Sputnik’”, tha Rama.
BE, vijoi ai, është tempulli i demokracisë dhe politikës dhe politika është shah. “Shahu është lojë pengjesh, por tek kjo e drejtë bazike mendoj se BE nuk duhet të marri peng askënd që jeton në këtë rajon për shkak të firmës që ka bërë vaksinën. Në kriteret që unë kam parë në lëvizjen e lirë është mundësia të bëjë test ose të jetë i vaksinuar. Pse do ta bëjnë testin për të lëvizur në BE ata që kanë bërë vaksinën ‘Sinovac’ apo ‘Sputnik’? Dhe këtu nuk janë vetëm shqiptarët e Shqipërisë, këtu janë edhe malazezët, serbët, maqedonasit e veriut dhe boshnjakët”, tha Rama.
BE, vijoi ai, “e ka marrë peng Kosovën. Kosova është peng i një loje shahu, ku një nga figurat e lojës ka vendosur që atë ushtar ta mbajë peng dhe shqiptarët në Kosovë të mos lëvizin dot lirisht, sepse njëri nga figurat e shahut thotë ‘jo’. Ok, e turpshme, por nuk ke çfarë i bën. Por ajo që ka të bëjë me lëvizjen, në kushtet kur të gjithë kemi luftuar për të dalë nga pandemia, dhe me thënë të drejtën ne në Shqipëri kemi luftuar dhe ia kemi dalë mbasi u lamë vetëm njësoj si të tjerët në këtë rajon, për shkak se të tjerët kishin hallet e tyre dhe nuk është për të fajësuar kënd. Tani kush ishte dhe kush është objektivi i parë dhe më i rëndësishmi? Të shpëtojmë jetën e njerëzve dhe jo të mendojmë se po shpëtuam gjysmë milioni jetë me vaksinën kineze Europa do të thotë jo, se ju jeni të kategorisë së dytë. I them këto për t’i dalë përpara, por sigurisht që nuk vendos unë dhe Shqipëria”, tha Rama.


























