Finalizohet operacioni policor “Koordinimi”, ku u sekuestruan 15 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë në Kakavijë si dhe arrestimi në flagrancë i drejtuesit të kamionit.
Finalizimi i këtij operacioni erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Policisë Kufitare të Kakavijës, FRONTEX, Sektorit të Narkotikëve në DVP Gjirokastër dhe shërbimeve doganore.
“Pas skanimit dhe kontrollit në vijën e dytë nga ana e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe me shërbimet e FRONTEX-it, u bë e mundur gjetja e lëndës narkotike që ishte fshehur në një vend të përshtatur në kroskotin e kamionit.
Gjatë kontrollit të detajuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 15 kilogramë”, theksohet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
“Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të kamionit, shtetasit Sh. P., 63 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Shtetit.


























