Këtë vit të ri shkollor 2021-2022 nxënësit e klasave të para do të regjistrohen për hërë të parë onlinë në 182 shkolla publike në mbarë vendin përmes platformës e-Albania.

Por si bëhet aplikimi?

Për të aplikuar online për regjistrimin, prindi apo kujdestari ligjor duhet të identifikohet në portalin e-Albania; me pas te krijojnë një aplikim të ri dhe të raportojnë të dhënat e kërkuara lidhur me: Bashkinë ku banojnë; Njësinë Administrative përkatëse; Adresën dhe Shkollën ku duan të regjistrojnë fëmijën, gjithashtu ata duhet te zgjedhin mes emrave në listen sipas ndarjeve territoriale të përcaktuara për regjistrimin e nxënësve.

Vetëm kaq zgjat procedura, ndërsa nuk do kërkohet asnjë dokument tjetër shtesë. E gjithë procedura nuk zgjat më shumë se një minutë.

Pasi plotësohet formulari me të dhënat dhe dërgohet me sukses, ky aplikim mbërrin në institucionin arsimor ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe ky i fundit bën procedurën për trajtimin e kërkesës.

Në rastin kur aplikimi është kryer saktë sipas rregullave, por edhe kur aplikimi është i pasaktë, institucioni arsimor shqyrton kërkesën dhe njofton elektronikisht nëse aplikimi është pranuar apo refuzuar.

Nëse kërkesa pranohet, prindi duhet të dorëzojë fizikisht në sekretarinë e shkollës Kartelën e Vaksinimit të fëmijës jo më vonë se 10 ditë para fillimit të vitit shkollor.

Nëse kërkesa për regjistrimin e fëmijës është refuzuar, prindi do njoftohet për arsyet e refuzimit nga institucioni arsimor përkatës. Aplikimet për t’u regjistruar në klasën e parë filluan në datë 15 qershor, por Ministria e Arsimit do të njoftojë datën e përfundimit.