Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj u shpreh sot se, “e keqja më e madhe ka kaluar dhe nuk do të ketë valë të COVID-19 me përmasa si ato që kaluam”.
Brataj priti sot në një takim virologun dr. Arban Domi, me të cilin ndau të njëjtin mendim lidhur me ecurinë e pandemisë në Shqipëri.
“Shkëmbimi i eksperiencës, edhe në këto ditë të nxehta korriku, ishte i domosdoshëm.
Dr. Domi, me atë qetësinë e tij, të dëgjon me kujdes, të kritikon me kulturë, të përgjigjet shkencërisht dhe të falënderon miqësisht për atë që kemi bërë në këto muaj pandemie. Ajo që është e rëndësishme, është fakti që të dy e mendojmë njësoj: E keqja më e madhe ka kaluar! Nuk do të ketë valë me përmasa si ato që kaluam”, tha Brataj.
Ndërkohë, ai theksoi se vaksinimi duhet të vazhdojë në masë dhe duhet të bëhet edhe nën moshën 18 vjeç.
“Kujdesi për një pandemi që nuk ka mbaruar duhet të jetë në vazhdim, me respektim të masave dhe vaksinim në masë”, tha ai.


























