ATSH-DPA/ – Një gjerdan me diamante të rallë është vjedhur nga një muze në Vjenë, deklaroi policia austriake.

Policia publikoi një imazh të gjerdanit, i cili është bërë nga argjendaria luksoze e Parisit ”Van Cleef & Arpels”.

Muzeu i Arteve të Aplikuara (MAK) i Vjenës nuk dha detaje rreth sendit të vjedhur, por informacioni në faqen e tij të internetit tregon se mund të jetë një gjerdan mbretëror që përmban 673 diamante me peshë më shumë se 200 karat.

Muzeu konfirmoi vetëm se një vjedhje kishte ndodhur gjatë ekspozitës së tij të bizhuterive dhe tha se askush nuk ishte lënduar.

MAK ka shfaqur më shumë se 300 pjesë nga koleksioni ”Van Cleef & Arpels” që nga fillimi i qershorit.

Një foto e ekspozitës në faqen e internetit të muzeut tregon gjerdanin pas një ekspozite qelqi.

Përshkrimi shoqërues thotë se dikur i përkiste mbretëreshës Nazli të Egjiptit, e cila e mbajti atë në vitin 1939 në dasmën e vajzës së saj Fawzia me princin e atëhershëm të kurorës së Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili më vonë u bë shah.

”Gjerdani u shit për rreth 4,3 milionë dollarë në ankand në Nju Jork në vitin 2015”, sipas shtëpisë së ankandeve ”Sotheby’s”.

Policia tha se dy burra të paidentifikuar thyen një vitrinë gjatë orarit të hapjes, morën gjerdanin dhe ikën.

Imazhet e publikuara nga policia treguan dy të dyshuar të veshur me rroba të errëta brenda muzeut./   /os/ a.jor.