/ATSH/ Gjatë 5 muajve të parë të këtij viti të ardhurat nga pushteti vendor llogariten rreth 11 miliardë lekë.
Të ardhurat nga pushteti vendor përbëhen nga tre zëra kryesorë, të ardhurat nga taksa e pasurisë, taksa mbi biznesin e vogël dhe taksat lokale.
Nga taksat lokale të ardhurat gjatë 5 muajve të parë të vitit llogariten 7.8 miliardë lekë nga 5.2 miliardë lekë që u mblodhën gjatë 5-mujorit të parë të 2020-s.
Sipas raportit mbi treguesit fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë llogariten 2.7 miliardë lekë, nga 1.4 miliardë lekë që u mblodhën në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Nga taksa mbi biznesin e vogël u mblodhën 278 milionë lekë në buxhet nga 306 milionë lekë që u mblodhën në 2020-n.
Ndërkohë, qeveria planifikon që gjatë vitit 2021 të ardhurat nga pushteti vendor të arrijnë në 25.4 miliardë lekë. /a.a/

























