Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se drejtuesit e policisë kanë 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal në çdo qark.
Në një takim me përfaqësues të Policisë së Shtetit, Rama tha se, “pritshmëria është e lartë dhe ky fakt është shumë motivues, është shumë domethënës, sepse aty ku është pritshmëria e lartë domethënë besimi që gjërat mund të bëhen është i pranishëm se po të mos ishte i pranishëm edhe pritshmëria nuk do ishte e tillë siç nuk ka qenë në të shkuarën në kohëra të zymta ku Policia e Shtetit është përballur e vetme me fenomenet negative dhe ku njerëzit s’kishin asnjë pritshmëri”.
“Sot pritshmëria është shumë e lartë. Është shumë e lartë nga unë personalisht, është shumë e lartë nga shumica e dalë nga zgjedhjet, është shumë e lartë nga të gjithë strukturat dhe është shumë e lartë nga Policia e Shtetit. Kësaj pritshmërie duhet t’i qëndrojmë përballë, sepse është arritja juaj kjo, nuk është arritja e askujt tjetër. Është arritja juaj që Policinë e Shtetit nga një nivel i ulët e keni çuar në një nivel të konsiderueshëm, por ende jo në nivelin më të lartë që mund ta çoni”, theksoi Rama.
“Dhe prandaj edhe pakënaqësia është aty hije e pritshmërisë për çdo gjë që ndodh, menjëherë gishti i vihet Policisë së Shtetit, me të drejtë, pa të drejtë kjo nuk ka rëndësi fare për diskutimin, por për diskutimin ka rëndësi që kjo është rezultati i pritshmërisë. Qytetarët nuk kanë asnjë arsye të ndeshen me ato fenomene të cilat unë i trajtova dhe që ju i njihni mjaft mirë. Nuk ka arsye që asnjë qytetar i Republikës së Shqipërisë të ndeshet me një polic që e ndalon dhe i kërkon lekë. Që e ndalon dhe i thotë o patentën, o lekët. Që e ndalon dhe në sytë e gruas, në sy të fëmijëve i bën atë presionin mizerabël të pengmarrësit në mes të rrugës. Nuk ka arsye nuk ka përse”, u shpreh Rama.
“Dhe forca e shembullit tuaj është themeli kësaj faze të re. Nëse ju do të qëndroni me të gjithë forcën e shembullit tuaj dhe nëse ju do t’i ndiqni prioritetet me të gjithë vendosmërinë dhe këtë besim që keni marrë do ta ktheni mbrapsht jo tek drejtori që ju ka emëruar, as te ministri, as tek unë, as tek qeveria, por tek populli shqiptar. Brenda pak kohe gjithçka do të fillojë të lëvizë në drejtimin e duhur për të arritur në një nivel të ri”, nënvizoi Rama.
“Unë dua t’ju them se keni 100 ditë kohë. 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. 100 ditë. Asnjë ditë më shumë që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, gjërat që dini t’i bëni mirë. Se për këtë arsye edhe jeni zgjedhur. Gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe me policinë e tyre. Dhe kjo duhet bërë në respektin e vetes. Ne respektin e masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe që nuk ka pse t’i paguajë kostot një pjese që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit. Duhet zhdukur dhe nuk duhet zhdukur në drejtim të paditur, duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe duhet të shkojë para drejtësisë. Dhe në çdo qark në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë që nuk ka pandëshkueshmëri në Policinë e Shtetit. Nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta dhe ju nuk keni fare probleme as t’i gjeni, as t’i kapni nga krahët dhe as t’i çoni përpara drejtësisë”, tha Rama.
“100 ditë. Ky është një objektiv i palëvizshëm në çdo qark, në çdo qark policë rrugorë, komisarë, Shqiponja, skifterë, çakenj që rrinë si të infiltruar brenda trupit duhet të shkojnë para drejtësisë në çdo qark. 100 ditë”, u shpreh Rama.

























