Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi priti sot, në zyrën e saj, në një takim pune ambasadorin e Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.
Gjatë takimit, është diskutuar mbi zgjerimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e arsimit si dhe intensifikimin e projekteve të përbashkëta shqiptaro-italiane, në drejtim të arsimit, sportit dhe shkencës.
“Folëm gjerësisht mbi ecurinë e deritanishme të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e arsimit dhe nevojën për të shtuar bashkëpunimin në projekte të përbashkëta mes dy vendeve tona”, u shpreh ministrja Kushi.
Ambasada italiane në Tiranë duke përcjellë njoftimin për takimin e ambasadorit Fabrizio Bucci me ministren e Arsimit, Evis Kushi, u shpreh se në qendër të takimit ishte strategjia 2021-2026 me vëmendje të veçantë kushtuar mësimdhënies së gjuhës italiane dhe puna e përbashkët drejt arritjes së marrëveshjes së re për njohjen reciproke të diplomave universitare.
Rritja e projekteve dhe iniciativave me interes të ndërsjelltë është në fokus të partneritetit strategjik me shtetin fqinj.

























