Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehu sot mirënjohjen për vaksinatorët e fushatës kombëtare të vaksinimit antikovid, të cilët janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve.
Ajo përcolli rastin e Enkela Halilajt, vaksinatore e qendrës shëndetësore nr. 8 në Tiranë e cila ka kryer vaksinën e parë antikovid në qendrën e vaksinimit në ‘Air Albania’, e, që prej asaj dite janari, është çdo ditë në shërbim të qytetarëve të Tiranës, duke dhënë kontributin e saj në këtë proces jetik.
“Mirënjohje për skuadrën e vaksinatorëve tanë nga veriu në jug, për punën e palodhur në mbrojtje të shëndetit publik”,u shpreh Manastirliu.
562,418 qytetarë kanë kryer të dy dozat e vaksinës në vend, ndërkohë që janë kryer më shumë se 1 milion e 290 mijë vaksinime.
Gushti është muaji i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat mbi 18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar duke u paraqitur me kartën e identitetit.
Për të pamundurit njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’u dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.


























