Shumica e izraelitëve, të cilët kanë marrë një dozë të tretë të vaksinës kundër COVID-19, raportuan efekte të ngjashme anësore me ato që përjetuan pas dozës së dytë, sipas një sondazhi nga agjensia e sigurimeve shëndetësore Clalit.
“Sipas rezultateve, 88 për qind e të anketuarve thanë se, pas marrjes së dozës përforcuese, ata ndiheshin më mirë se ose njësoj siç ishin ndjerë pas marrjes së dozës së tyre të dytë”, konfirmoi një zëdhënës i kompanisë.
Në përgjithësi, 31 për qind e të anketuarve thanë se kishin përjetuar një reagim pas dozës së tretë, kryesisht dhimbje në pikën e injektimit.
Prej një jave tashmë, Izraeli po administron dozat përforcuese për personat e moshës 60 vjeç e lart, duke u bërë kështu i pari shtet që nis injektimin e saj.
Clalit bëri të ditur se janë injektuar gjithsej 240 000 doza të treta dhe se ka intervistuar 4 500 të vaksinuar me këtë dozë.
Nga ata të anketuar, 9 për qind raportuan se ndiheshin të lodhur më pas dhe rreth 6 për qind thanë se nuk ndiheshin mirë.
Rreth 1 për qind thanë se iu desh të kërkonin kujdes mjekësor më pas./



























