Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bën të ditur se, aktualisht po punohet intensivisht edhe këto ditë në kolektorin kryesor kullues në Dropull, në jug të vendit.
Investimi në këtë vepër të rëndësishme të sistemit të ujitjes dhe kullimit në bujqësi, i vjen në ndihmë fermerëve të zonës në tri bashki të vendit.
“Rehabilitimi i këtij kolektori do të mundësojë kullimin e më tepër se 2,700 ha tokë bujqësore në të tre bashkitë e Gjirokastrës, Libohovës dhe Dropullit”, tha Ekonomi.
Monitorimi dhe vlerësimi maksimal i gjendjes teknike të infrastrukturës së ujitjes, për të siguruar akses për ujitje sipas nevojave dhe kërkesave të fermerëve gjatë sezonit veror, por dhe përfundimi i pastrimit të rrjetit të kanaleve kulluese, para fillimit të sezonit me reshje, ishte në fokus të takimit që zhvilloi pak javë më parë, ministrja Ekonomi me përfaqësues të drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit (DUK) dhe bashkive.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, njofton se aktualisht në sezonin e ujitjes, fermerët po marrin ujin për ujitjen e tokave bujqësore nga rezervuarët, duke treguar kujdes të vazhdueshëm për garantimin e sigurisë së digave. /j.p/



























