ATSH-I.Vata/ Flakët e zjarrit në parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë vihen nën kontroll.
Lajmi bëhet i ditur nga Administrata e Zonave te Mbrojtura Elbasan, e cila njofton se “pas dy ditësh në luftë me flakët që prekën Parkun Kombëtarë Shebenik-Jabllanicë zjarri vihet nën kontroll nga ADZM Elbasan me ndihmën e Bashkisë Prrenjas dhe forcat të Ushtrisë shqiptare.
“Zjarri u shfaq me datë datë 17.08.2021 më orën 16.00 në masivin pyjore mbi fshatin Rrajcë Skënderbe dhe përfshiu një sipërfaqe me pyje lisi dhe pak më vonë u shfaq dhe në pyjet e ahut, të cilat i konsiderojmë totalisht të qëllimshme. Më datë 17.08.2021 u vendosën 14 vatra zjarri në zonën e pyjeve të ahut e cila është e listuar në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ishte ndërhyrja e menjëhershme e stafit të ADZM Elbasan së bashku me Zjarrfikësit e Bashkisë Prrenjas për të bërë të mundur izolimin e zjarrit të këtyre vatrave deri në shuarjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se situata tani është nën kontroll nga punonjësit e ADZM Elbasan dhe po monitorohen vatrat të cilat mund të jenë të fjetura dhe që mund të aktivizohen nga era.
“I bëjmë thirrje organeve kompetente,Policisë Shtetit që të zbulojë autorët e kësaj ngjarje të shëmtuar dhe kriminale ndaj natyrës”, thuhet në njoftimin e ADZM Elbasan, duke shprehur respektin për të gjithë pjesëmarrësit që kontribuan pa u lodhur në temperatura të larta dhe në terrene të vështira malore për shuarjen e 21 vatrave të zjarrit. /j.p/



























