ATSH-ANSA/- Numri i të vdekurve nga përmbytjet që prekin shtetin e Tennessee rritet në të paktën 21, ndërsa stuhia tropikale ‘’Henri’’ godet bregdetin verilindor të SHBA më në veri.

Numri i të zhdukurve për momentin rezulton me të paktën 45 persona.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, ka mobilizuar 500 persona të Gardës Kombëtare për t’u marrë me urgjencën e uraganit.

Edhe pse ‘’Henri’’ është degraduar në një stuhi tropikale në orët e fundit, shirat e fortë dhe erërat tashmë po shkaktojnë dëme dhe shqetësime përgjatë bregdetit verilindor të SHBA.

Në qytetin e Nju Jorkut janë regjistruar përmbytje në disa nga stacionet e metrosë, duke detyruar disa linja të pezullohen.

Trenat që lidhin Nju Jorkun me Bostonin dhe linjat hekurudhore që çojnë nga Manhatani në Long Island dhe New England, ku Henri duhet të prekë në orët e ardhshme, janë pezulluar.

Të paktën 280 fluturime u anuluan në aeroportin ndërkombëtar JFK dhe aeroportet e tjera në qytet.    /os/