ATSH/ – Ikona e muzikës italiane, Zucchero, elektrizoi mbrëmjen e djeshme Pallatin e Kongreseve, duke sjellë një koncert që u shndërrua në një festë të vërtetë të blues-it, rock-ut dhe soul-it. Me zërin e tij karakteristik dhe energjinë që e ka shoqëruar prej dekadash në skenat botërore, artisti bëri që publiku ta shoqëronte pothuajse çdo këngë me duartrokitje.

Salla ishte e mbushur plot, ndërsa artisti legjendar interpretoi disa prej hiteve më të dashura të karrierës së tij, mes tyre “Senza una donna”, “Baila (Sexy Thing)”, “Diamante”, “Il Volo” dhe “Diavolo in me”, të kënduara në kor nga publiku.

I shoqëruar nga një bandë muzikantësh të nivelit të lartë dhe një seksion frymorësh që i dha koncertit energji fantastike, Zucchero krijoi atmosferën karakteristike që e ka bërë një nga emrat më të rëndësishëm të blues, rock dhe soul në Evropë. Gjatë mbrëmjes ai alternoi momentet intime me shpërthime ritmike, duke mbajtur publikun në këmbë për pjesën më të madhe të koncertit.

Zucchero falënderoi publikun shqiptar për mikpritjen dhe atmosferën e krijuar gjatë gjithë mbrëmjes. Artisti u shpreh i emocionuar nga pritja e ngrohtë në Tiranë, ndërsa u përshëndet me duartrokitje të gjata dhe ovacione nga të pranishmit.

Koncerti në Tiranë u zhvillua në kuadër të turneut “Overdose D’Amore Gold – World Tour 2026”, duke sjellë për herë të parë në kryeqytet një nga artistët më të suksesshëm italianë të dekadave të fundit.

Me mbi 60 milionë albume të shitura në mbarë botën dhe bashkëpunime me emra si Eric Clapton, Sting, Bono, Andrea Bocelli, Brian May dhe Luciano Pavarotti, Zucchero mbetet një nga ambasadorët më të njohur të muzikës italiane në skenën ndërkombëtare.