Piktori Elezi, sjell në ekspozitë një grup punimesh, që datojnë nga vitet ’80-të e deri më sot dhe që prezantohen për herë të parë për publikun.
Kuratori i kësaj ekspozite Prof.Sadik Spahija tha në fjalën e tij në çeljen e ekspozitës se “Zaim Elezi prezanton punë që nga vitet ’80 e deri më sot, kohë që rrok dy sistemet, shumë ndryshime, por që ruajnë vetëm një dimension: dashurinë për nënën, parë kjo në 360 gradë”.
“Tema e amësisë ka prezantuar ndjenjën e dashurisë së thellë, lidhjen e pazgjidhshme dhe hyjnore që lidh nënën me fëmijën, duke mbetur një nga temat më të bukura dhe më tërheqëse në historinë e artit”, – tha Spahija.
Profesor Spahija u shpreh se “ajo çka dallojmë së pari që bën veçantinë e këtij autori në raport me temën, është se ai nuk ka reshtur së pikturuari nënën duke mbetur në thellësi tema e jetës në krijimtarinë e tij”.
Sipas tij, mjeshtëria e vizatimit e ndihmon ta ndjekë personazhin pa e trazuar, duke e përcjellë si kujtesë në ritualin e saj.
Sipas tij, piktori e modelon fort atë, duke kërkuar tridimensionalitetin, i cili në shumicën e rasteve e zotëron hapësirën.
Zaim Elezi ka qenë gjithnjë pjesë e përhershme e ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare, nga fundi i viteve ’80 e në vazhdim, duke përmendur kështu ekspozitën personale, Zvicër, Francë ,Itali, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë etj. Ekspozita “Nana” qëndron e hapur për publikun deri më 30 shtator në “FAB”.
/k.s/



























