ATSH/ Euroizimi i veprimtarisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme vijoi të mbetet i ulët, por është më i ndjeshëm tek ndërmarrjet e mëdha.

Banka e Shqipërisë në raportin mbi gjendjen financiare të ndërmarrjeve në vendin tonë thekson se, rreth 13% e ndërmarrjeve të vogla dhe 20% e atyre të mesme, deklarojnë se kryejnë 50% të veprimtarisë financiare kryesisht në valutë.

Sipas BSH-së, ky tregues është rreth 36% tek ndërmarrjet e mëdha, me një rritje prej 1.8 % gjatë 6-mujorit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Ndërsa ecuria e indeksit të shitjeve ka vijuar të përmirësohet në gjashtëmujorin e parë në krahasim me gjashtëmujorin e dytë të 2020, ndonëse ende nuk ka arritur në nivelin e periudhës para pandemisë.
“Në ndarjen sipas madhësisë, ecuria e vlerave të indeksit tregon që vlera e përgjithshme e shitjeve për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme ka shënuar rritje, ndërkohë që ka ngelur e pandryshuar për ndërmarrjet e mëdha”, bën të ditur BSH-ja.
Sipas këtij indeksi, vlerat më të larta të shitjeve janë realizuar nga sektori i ndërtimit
dhe ai i tregtisë, ndërkohë që vlerat më të ulëta vijojnë të mbeten në sektorin e shërbimeve. /a.a/