ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se varfëria në Shqipëri është më e ulëta në rajon.

Duke replikuar me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në seancën plenare të Kuvendit, i cili tha se niveli i varfërisë në vend është më i larti në rajon, ministrja Ibrahimaj hodhi poshtë shifrat e deklaruara.

“Shifrat e përmendura për varfërinë duke iu referuar INSTAT janë të pavërteta. Varfëria në Shqipëri është më e ulëta se në të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe këto janë shifrat e EUROSTAT”, deklaroi Ibrahimaj,

Ibrahimaj pranoi se viti i kaluar ishte një vit i vështirë si nga situata shëndetësore ashtu edhe ajo ekonomike.

Por ministrja shtoi se qeveria reagoi menjëherë duke hartuar paketa mbështetëse si për individët edhe për bizneset.

Sipas saj, falë këtyre paketave mbështetëse Shqipëria shënoi rritjen ekonomike më të lartë në rajon përgjatë 3-mujorit të 2 të këtij viti.

”Reagimi i qeverisë shqiptare ishte i menjëhershëm. Qeveria vendosi t’u vijë në ndihmë të gjithë të punësuarve që dolën të papunë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Që në muajin prill disbursoi 3 paga për mbi 65 mijë të punësuar në mbi 40 mijë biznese. Direkt pas kësaj u akordua një pagë prej 40 mijë lekësh për 173 mijë të punësuar që nuk dolën nga tregu i punës por bizneset e tyre u ndaluan për jo më shumë se tre muaj. Qeveria ndërhyri duke dhenë edhe garanci sovrane për shumicën e bizneseve me qëllim të limitonin rënien e punësimit”, tha ajo.

Sipas Ibrahimajt, për këtë situatë flasin vetë shifrat, pasi ndryshe nga shumë vende të tjera që në tremujorin e katërt të vitit 2020 arritën të ringrihen. /j.p/