Zv.kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, duke folur sot në Kuvend u shpreh se, “janë 1049 familje që do të futen në shtëpi në datën 25 nëntor të këtij viti dhe në fund të shtatorit të vitit tjetër mbaron çdo gjë me rindërtimin”.

“8 vite përpara, qytetet shqiptare ishin sikur ishin bombarduar. Sot janë, shumica e tyre, të ndryshuar tërësisht, rrënjësisht dhe jo vetëm, në qendrat e tyre dhe në periferi”, tha Ahmetaj.

“Atë ditë kur ne morëm përgjegjësinë për të drejtuar vendin ishte kulmi i varfërisë. Kur diskutoni për varfërinë këtu është mirë të referohemi me të vërteta. Ishte lugina më e ulët e varfërisë, 2012-a. Kur flet për varfërinë, sigurisht që është proces i gjatë. Dhe varfëria nuk zhduket për një ditë. Nuk bëhet duke ardhur duke qarë për të varfrit këtu, me fjalë të bukura. Nëse nuk bën reforma je duke u shtirur, dhe kjo mazhorancë bën reforma”, tha Ahmetaj.

Për Reformën në Drejtësi, Ahmetaj iu drejtua deputetëve të opozitës, se, “po të mos iu kishte marrë Ambasada amerikane një nga një aty, nuk do kishit votuar kurrë reformë në drejtësi. Tani bëni numra për Vetingun, jo po shiko se është një ndryshim kushtetues nga ne, pastaj është një ndryshim kushtetues nga ata. Për çfarë i vini vërdallë? E kemi thënë Reforma në Drejtësi, e keni thënë dhe ju atëherë, do të luftojë korrupsionin. Votojeni zgjatjen e Vetingut. Votojeni, aty fillon. Po deshët ju nga frika, po deshët ju nga dëshira, po deshët ju nga parimi”.

Për rindërtimin, Ahmetaj u shpreh se janë 33 mijë familje që përfitojnë.

“Është herë e parë. Nuk ka pasur ndonjë forcë politike që të ketë bërë atë që ka bërë kjo forcë politike. Falas. Ai zotëria i Durrësit tha janë vetëm 10 pallate. Jo, janë mbi 50. Dhe Durrësi është qyteti i parë që përfiton, me të drejtë, sepse vuajti më shumë. Ka filluar investimi i fondit të Abu-Dabit. Ka filluar investimi i buxhetit të shtetit, qoftë në shkolla, qoftë në pallate”, tha Ahmetaj.

“Janë 1049 familje që do të futen në shtëpi në datën 25 nëntor të këtij viti. Dhe në fund të shtatorit të vitit tjetër mbaron çdo gjë me rindërtimin”, theksoi Ahmetaj.

Duke folur për progresraportin e KE, Ahmetaj u shpreh se, “thotë se qeveria shqiptare i ka bërë detyrat e shtëpisë. S’ka probleme vendi? Të dalësh të thuash që s’ka probleme vendi do ishte qesharake, për majtas dhe djathtas. Sa të duash ka”.

“E keni dëgjuar projektbuxhetin e 2022-it, meqë më flisni për varfërinë? Çfarë refleksioni ka? Kur e keni dëgjuar ju ndonjëherë paketën e bonusit të bebeve? As 50 mijë lekë të vjetra nuk ua jepni. Bonusi i bebeve 400 mijë lekë, 800 mijë lekë, 1 milion e 200 mijë”, vijoi ai.

Ahmetaj u shpreh se rritet me 10 % pagesa e papunësisë. “Për 15 mijë familje, duke futur dhe familjet e jetimëve, që nuk menduat kurrë dhe bëni këtu sikur ju dhemb zemra, ato zemrat e zjarrta që s’ju votuan, do marrin dyfishin”, tha Ahmetaj.

 

/j.p/r.e/