Për të shkuar në Kërçishtin e Sipërm duhet të marrësh rrugën e Maqellarës në rrethrrotullimin e Peshkopisë, pak më shumë se një orë nga Tirana. Rruga është e mirë dhe vetë fshati Maqellarë të habit me gjallërinë e jetës rurale, bizneset, shtëpitë me shumë kate e të rregulluara, parcelat e mbjella e të sistemuara, plantacionet e mollëve e qershive, e pemët madhështore të arrave që i sheh kudo.

Rreth 3.5 kilometra larg qendrës së Maqellarës ndodhet Kërcishti i Sipërm, i përzgjedhur si pjesë e projektit kombëtar “100 Fshatrat” për historinë e trashëgiminë që mbart.

Rruga për në fshat ngjitet dhe të ndal pranë kishës së Shën Dhimitrit një prej pesë kishave mesjetare që ruhen edhe sot e kësaj dite nga banorët pothuajse të gjithë muslimanë.

Dy prej tyre, Shën Dhimitri dhe Shën Sotiri janë rikonstruktuar dhe janë të vizitueshme, ndërsa hapen në ditët e mira të komunitetit kur vijnë edhe banorët e emigruar drejt Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, është e dukshme se afresket e dëmtuara brenda kishave ende presin ndërhyrje më specifike.

Tre kishat e tjera kanë mbetur vetëm rrënoja, në rastin më të mirë, ose disa gurë që kujtojnë se aty ka qenë një kishë.

Kisha e Shën Dhimitrit sipas të dhënave historike thuhet se është ndërtuar në vitin 1892 me gurë dhe llaç gëlqereje nga muratorë vendas. Ajo mban statusin Monument Kulture që nga viti 2007. Çatia e saj është e mbuluar me rrasa guri dhe tavani ka afreske post-bizantine të dëmtuara nga koha. Çdo vit më 26 tetor festohet festa e Shën Dhimitrit.

Kisha e Shën Sotirit po ashtu e restauruar nga vetë banorët është tjetër objekt i rëndësishëm kulti i periudhës mesjetare që dëshmon historinë e hershme ortodokse të zonës.

Këtë histori e dëshmojnë edhe varrezat e vjetra ortodokse me të cilat ndeshesh sapo lë fshatin dhe ngjitesh drejt malit.

Banorët tregojnë se kishat bizantine ndodhen të vendosura në mënyrë të tillë që të formojnë kryqin, dy prej kishave ndodhen në shpatet e malit.

Sot, fshati është i banuar pothuajse tërësisht nga popullsi e besimit islam, por banorët myslimanë lokalë janë pikërisht ata që kujdesen, pastrojnë dhe mirëmbajnë kishat e vjetra të fshatit, dëshmi tjetër e tolerancës fetare.

Të dhënat demografike tregojnë se në shekullin XIX dhe fillimin e shekullit XX (periudha osmane), Kërçishti i Sipërm dallohej në zonën e Dibrës si një fshat i populluar tërësisht nga popullsi e krishterë (ortodokse). Ndryshe nga fshatrat përreth që u kthyen tërësisht në popullsi muslimane, Kërçishti i Sipërm dhe fshati fqinj Herbel ruajtën për një kohë të gjatë këtë strukturë fetare.

Kërçishti i Sipërm deri vonë raportohet se mbeti një fshat miks ku krahas popullsisë shqiptare bashkëjetonte komuniteti sllavofon. Gjuha maqedonase ka qenë aktive dhe flitej në fshat deri në fund të viteve ’90 dhe flitet ende edhe sot edhe pse pjesa më e madhe e familjeve që e përdornin atë janë larguar drejt Maqedonisë së Veriut.

Fshati ofron gjallëri në këto ditë vjeshte me fëmijët që luajnë dhe gjuajnë me gurë arrat shekullore të shpërndara kudo për të ngrënë frutet e sapopjekur.

Shtëpitë e vjetra, të braktisura pothuajse, janë të ndërtuara me gurë të gdhendur trashë, të lidhur me llaç gëlqereje dhe të mbuluara me rrasa guri të zeza, ndërsa të rejat kanë çati me tjegulla të kuqe, oborre të rregulluara me pjergulla, pemë frutore dhe lule.

Rrugicat ende ruajnë punimin artizanal të kalldrëmit por duken jo shumë të mirëmbajtura, edhe pse natyra e pastër dhe pemët e shumta e balancojnë pamjen.

Fshati ndodhet brenda zonës së mbrojtur të Parkut Natyror Korab-Koritnik dhe me rrugën që lehtëson tashmë qarkullimin ka potencial të shkëlqyer zhvillimi për ekoturizmin. Prej aty nisen shumë shtigje malore që të  çojnë drejt Majës së Kërçinit (2,341 m) dhe Majës së Rudinës (2,238 m), shtigje këto shumë të frekuentuara edhe nga turistët e huaj.

Banorët duket se janë mësuar me vizita të tilla nga dashamirët e maleve pasi të shpjegojnë shtegun dhe të përcjellin më buzëqeshje. Fshati ka ujë të bollshëm ndërsa gjatë rrugëtimit drejt lartësive dallohen dy depo furnizimi dhe kanali vaditës për tokat bujqësore.

Sa më lart të ngjitesh aq më shumë të sheh syri, ndërsa retë trazohen nga era që në mal nuk të kursen. Pak nga pak nisin të shfaqen livadhet alpine e bashkë me afrimin e majave, hyn në kuadrat liqeni i Dibrës së Madhe, pyjet e dendura në kufirin mes dy shteteve, fshatrat piktoreskë.

Kërçishti i Sipërm si shumica e fshatrave malorë të Dibrës vuan nga plakja e popullsisë dhe emigrimi masiv drejt Tiranës ose jashtë vendit.

Banorët që jetojnë aty gjatë gjithë vitit janë të paktë, por fshati “ripopullohet” gjatë muajve të verës kur kthehen emigrantët dhe kur vizitohet nga turistët.

Përfshirja në listën e “100 Fshatrave” tashmë e ka bërë të njohur Kërçishtin e Sipërm pasi dëshmohet në udhërrëfyesit zyrtarë duke sjellë rritje të interesit nga agjencitë kombëtare dhe të huaja që sjellin vizitorë për kishat bizantine, panoramat e mrekullueshme, ajrin e pastër dhe historinë e një fshati të mbijetuar pranë vijës së kufirit.