Kryeministri Rama publikoi sot pamje nga ky fshat turistik i mbuluar me borë, ku investimet e qeverisë shqiptare dhe ato private po e kthejnë dita-ditës këtë mrekulli të natyrës së Malësisë së Madhe në një destinacion evropian gjatë kësaj dekade.
“Mirëmëngjes, dhe me Vermoshin që borën e ka “si të shpisë”, ju uroj një pushim të këndshëm në këtë të diel”, u shpreh Rama.
Vermoshi, përbën skajin më verior të Republikës së Shqipërisë. Fshati i Vermoshit është i ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Limit. Ai është një luginë me origjinë akullnajore, e vendosur në lartësinë 1 100 metra mbi nivelin e detit.
Në të dyja anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe haloret. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit. /a.a/



























