ATSH-I.Vata/ Parku Kombëtar Mali i Tomorit është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve në të gjitha stinët, por në stinën e dimrit parku bëhet një parajsë natyrore.
Ndërsa ngjitesh në malin e Tomorit në këto ditë dhjetori pamjet e liqeneve reflektojnë majën e lartë të Tomorit që pasqyron dy pamje marramendëse, ndërsa ngjyrat e ngrohta të fshatrave mbajnë mbi supe një mal të akullt si një ajsberg në mes të dimensionit të madh blu duke dhuruar pamje fantastike.
Por jo vetëm relievi, por edhe kafshët e egra janë një pasuri e këtij diversiteti të larmishëm në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit.
ADZM e Beratit solli pamje të bukura të Parkut Kombëtar Mali i Tomorit por dhe gjurmë e kafshëve të egra si dëshmi e shtimit të tyre pas ligjit të moratoriumit të gjuetisë
“Pamjet e bukura, por edhe gjurmët e disa kafshëve, si ariu i murrmë, ujku, lepuri etj, të bën të kuptosh që je në një vend të bekuar nga Zoti”, thuhet në njoftim.
Mali i Tomorit shënon majën më të lartë 2416 metra, ai ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit.
Bukuritë e rralla që ofron peizazhi, majat e larta, honet, luginat dhe gjelbërimi i pamasë gjatë stinëve të ngrohta e bën malin e Tomorit një nga destinacionet unike të turizmit malor. /j.p/



























