Në mbledhjen e radhës së Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino tha se “përsa i përket vaksinimit kemi një rritje në përqindje e vaksinimit për dozat e para, doza të dyta dhe natyrisht dhe të dozave të treta në dy javët e fundit e cila ka sjellë një rritje të mbulesës me vaksina në vend, e cila po arrin për rreth 40% në popullatën e përgjithshme dhe për rreth 50% në popullatën target”.
Duke folur për vaksinat e mbërritura dhe qytetet me mbulesën me të lartë vaksinale Bino u shpreh:
“Përqindja e vaksinave midis Pfizer dhe Coronavac është pak a shumë e njëjtë. Aktualisht mbizotëron vaksina Pfizer mbi atë Coronavac. Përqindje të lartë në lidhje me vaksinimin ka patur Bashkia e Tiranës, e cila është mbi 57% aktualisht që flasim. Dhe natyrisht kemi bashki mbi 80% si ajo e Himarës, Sarandës apo bashki të tjera të cilat kanë nivel të lartë vaksinimi”, nënvizoi Bino.
Bino ka folur dhe për ecurinë e procesit të vaksinimit kundër gripit duke bërë me dije se përdorimi i vaksinës ndaj gripit është 80%.
“Vaksinimi ndaj gripit po ecën jashtëzakonisht mirë. Kemi një përdorim tejet të lartë të vaksinës ndaj gripit e cila është 80%. Natyrisht kemi qarkullim të gripit në vend. Prandaj kush nuk është vaksinuar duhet të vaksinohet ndaj gripit. Kemi qarkullim të gripit A në vend. Kush nuk është i vaksinuar të shkojnë dhe të vaksinohen ndaj gripit”, tha Bino.
/k.s//a.a/



























