Ndërkohë që vetëm 11 ditë na ndajnë nga testimi i parë për auditues të energjisë, vijon puna për përfundimin e legjislacionit të nevojshëm për të aktivizuar tregun e auditimit të energjisë.
Agjencia për Eficiencën e Energjisë bën të ditur se po punon maksimalisht për të përfunduar legjislacionin e nevojshëm për të aktivizuar procesin e auditimit të energjisë.
Këshilli i Ministrave miratoi pak ditë më parë metodologjinë e llogaritjes së niveleve të kostos optimale për kërkesat minimale të performanceës së energjisë së ndërtesave.
Ky vendim përcakton kuadrin e metodologjisë krahasuese për t’u përdorur për llogaritjen e niveleve optimale të kostos të kërkesave minimale të performancës së energjisë për ndërtesat dhe elementet e ndërtesave të reja dhe ekzistuese.
Metodologjia kuadër specifikon rregullat për krahasimin e masave të eficiencës së energjisë, masa të cilat përfshijnë burimet e rinovueshme të energjisë, si edhe paketat dhe variantet e këtyre masave, bazuar në performancën e energjisë primare dhe koston që lidhet me zbatimin e tyre.
Metodologjia përcakton rregullat e zbatueshme në ndërtesat referente të zgjedhura, me qëllim identifikimin e niveleve të kostos optimale të kërkesave minimale të performancës së energjisë.
Si ndërtesa referente merren tipat e ndryshëm të shtëpive/ndërtesave ku banon vetëm një familje, blloqet e apartamenteve, zyrat, ndërtesat e edukimit/arsimimit, spitalet, hotelet dhe restorantet, objektet sportive, ndërtesat ku zhvillohen aktivitete të tregtisë me shumicë ose pakicë që klasifikohen si ndërtesa shërbimi.
Për secilën kategori ndërtesash, do të përcaktohet së paku një ndërtesë referente për ndërtesat e reja, dhe të paktën dy për ndërtesa ekzistuese që i nënshtrohen një rinovimi të konsiderueshëm.
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në vitin 2019, u rrit me 1.8 % duke arritur vlerën 5.960 GWh nga 5.856 GWh që ishte në vitin 2018.
Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët familjarë të cilët kontribuuan me 1.2%, përkundrejt kontributit prej 0.6% të energjisë së konsumuar nga konsumatorët jo familjarë.
/a.gjonaj/j.p/atsh