ATSH/ Nis puna për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.
Në ceremoninë e nisjes së punimeve, ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi së bashku me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim dhe ambasadorë të vendeve të tjera të akredituar në Tiranë.
Në fjalën e tij, Rama citoi një thënie të gjeneralit amerikan Tod Wolters, i cili në një vlerësim mbi rëndësinë e pozicionit strategjik të vendit tonë si pikë ndikuese në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, gjatë një dokumentari të NATO-s për bazën e Kuçovës, është shprehur se, “kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut dhe shikon krahun jugor të kontinentit evropian është shumë e rëndësishme të ruhet paqja dhe prosperiteti. Për këtë arsye Shqipëria në Ballkan, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor bëhet një vend me rëndësi kritike”.
Rama theksoi se, “vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të Aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë Aleancë, e cila bashkon së bashku shtete që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ia vlen të luftohet”.
Natyrisht, shtoi Rama, “që për ne lajmi i kësaj vendimmarrjeje të NATO-s, ishte një lajm shumë i mirëseardhur, sepse si të thuash, jo vetëm krijonte vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por në të njëjtën kohë përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik, në aspektin gjeografik, dhe pozitën tonë në NATO, në aspektin politik, por edhe ushtarak”.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për përmasën e vendit tonë dhe për volumin e kontributit tonë në raport me vendet e tjera, por falë edhe punës së përbashkët, e cila është realisht një punë që e ka çuar bashkëpunimin me SHBA-të në një nivel komplet tjetër, dhe falë mbështetjes që ne po gjejmë vijimësisht nga SHBA-të dhe nga strukturat e mbrojtjes së SHBA-ve, ne po vetëdijësohemi përditë e më shumë se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe nëse adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe njëkohësisht të rritjes së cilësisë të forcave tona ushtarake, ashtu siç duhet, ne mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n edhe me projekte të tjera”, vijoi kryeministri Rama.
“Faktikisht sot ne po shohim të realizuar një projekt, i cili kur erdhi si lajm ishte i pabesueshëm për shumëkënd. Madje më kujtohet fare mirë sesa shumë është përqeshur ai lajm dhe sesa shumë komente mosbesuese janë bërë atëherë kur 3 vjet më parë, lajmi u bë publik dhe se sa shumë është ndjekur në vijimësi ky proces nga komente dhe opinione, sipas të cilave ky moment sot nuk do të vinte kurrë dhe asnjëherë nuk do të ndodhte që Kuçova të kthehej në një bazë ajrore, ku do të zbatohen 5 projekte, të ndara në 3 paketa të rëndësishme dhe ku, përveç përfitimeve në aspektin strategjik dhe ushtarak, do të impaktohet në mënyrë afatgjatë edhe ekonomia dhe në aspektin social, po ashtu, zona e Kuçovës do të ketë një përfitim të ardhur nga qielli në këtë rast”, tha Rama.
Shndërrimi i bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s, u cilësua nga kryeministri Edi Rama si një mundësi e shkëlqyer për forcat tona të armatosura në ngritjen e kapaciteteve kombëtare dhe modernizimin e forcave ajrore.
vijon…



























