ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës, UBT, zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar.
UBT në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane ka marr një program Doktorature në Bujqësi, Mjedis, Bioteknologji, Agrobiznes dhe Mjekësi Veterinare, i cili synon kualifikimin e mëtejshëm të studentëve ekselentë dhe profesionistëve të rinj, duke shfrytëzuar ekselencën e Bashkimit Evropian.
Në ambientet e këtij Universiteti, u zhvillua sot prezantimi i këtij bashkëpunimi të rëndësishëm, ku merrte pjesë Kryeministri Edi Rama, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministrja e Arsimit dhe Sportit, ambasadori gjerman, profesorë dhe studentë të këtij universiteti.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se, “aktiviteti i sotëm është në koherencë me çështjet që parashtron bujqësia dhe specifikisht në atë të nevojës për rritjen e kapaciteteve humane, aq të rëndësishëm për implementimin e politikave zhvillimore në bujqësi”.
Sipas tij, aktiviteti i sotëm që lidhet me hapjen e thirrjes për aplikime për studime doktorature në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, sigurisë ushqimore etj, është në koherencë me këtë filozofi dhe i shërben implementimit të politikave bujqësore.
“Përmes këtij programi Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si një nga përfitues e këtij projekti ka një interes të drejtpërdrejtë, pasi të gjitha tematikat e dakordësuara dhe të përkthyera ne projekte specifike të tilla si: efikasiteti i fermës, roli i kooperimit etj, anë në interes të politikave zhvillimore të MBZHR, sidomos në kushtet e përgatitjes së negociatave me BE”, tha Sallaku.
Sallaku vuri në dukje se, kandidatët që do të bëhen pjesë e këtyre programeve do të kenë mundësinë të kontribuojnë në MBZHR dhe nëpërmjet eksperiencës së fituar nga programi gjerman dhe pedagogët e huaj, do të kenë mundësi maksimale të përfitojnë nga ky program.
Gjatë kësaj periudhe, theksoi Rektori i UBT-së, janë vendosur kontakte me universitetet pritëse në Gjermani, Austri dhe Itali dhe falë mbështetjes së ambasadës gjermane një grup prej 15 pedagogësh kanë ndjekur kursin e gjuhës gjermane. Çdo doktorant i zgjedhur do të qëndrojë në fazën e parë të programit, rreth 6 muaj në një nga universitetet e huaja, ku do të përqendrohet në fillimin e punës shkencore.
“Ambicia jonë është që të gjithë asistentë lektorët e rinj të UBT-së, rreth 40 vetë të kryejnë të gjitha proceset e doktoraturës në universitetet e huaja, duke përmbushur kështu misionin për ndërkombëtarizimin e ofertës akademike dhe shkencore të UBT-së”, tha Sallaku.
Ai theksoi se, UBT po përpiqet ta kthejë në avantazh këtë bashkëpunim për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë, teksa bëri të ditur se, UBT po implemton disa projekte të mëdha si krijimi i fermës didaktike, parkun agroturistik, ngritjen e parcelës didaktike ku të eksperimentohen elementët e bujqësisë precize smart, etj, të gjitha në funksion të zhvillimit të bujqësisë sipas standardeve më të mira bashkëkohore.



























