/ATSH/ Presidenti Iliri Meta në mesazhin e tij për ndarjen nga jeta të Dom Gjergj Simoni thekson se, ai do kujtohet si simbol i sakrificës ndaj persekutimit.

“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Dom Gjergj Simonit, i cili do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë nga shqiptarët si një simbol i sakrificës dhe rezistencës ndaj persekutimit, torturave dhe burgimeve të diktaturës, martir i vërtetë në mbrojtje të lirisë së besimit, dinjitetit njerëzor dhe demokracisë”, shprehet Meta.

“Vargjet e Tij të lirisë, do t’i frymëzojnë përherë gjeneratat e reja në mbrojtjen e pakompromis të lirisë, të drejtave të njeriut dhe pluralizmit politik. Të prehet në paqen e merituar!”, tha Meta.

Basha: Dom Gjergj Simoni, simbol i qëndresës shpirtërore ndaj të keqes

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mesazhin e tij të ngushëllimit e ka cilësuar  Dom Gjergj Simonin simbol të qëndresës ndaj të keqes.

“Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Dom Gjergj Simonit, dëshmitar i vuajtjeve në burgjet e diktaturës dhe simbol i qëndresës shpirtërore ndaj të keqes”, shprehet Basha.

“Do ta kujtojmë përherë me nderim dhe respekt Dom Gjergj Simonin, për qëndresën në ato kohë të errëta dhe për mposhtjen e frikës me kremtimin e meshës së parë në Shkodër, që hodhi themelet e lirisë. U prehtë në paqe!”,tha Basha.

Dom Gjergj Simoni, u nda sot nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Simoni u lind në 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës në një familje me origjinë qytetare. Ai ishte ndër meshtarët e parë që u shugurua nga Vatikani. /a.a/