/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku tha se, “sot në mbledhjen e qeverisë kemi paraqitur tre projektvendimi, dy nga të cilat i përkasin procesit të shpronësimeve të cilat ndihmojnë në ecurinë më shpejt të projekteve në qendrat e qyteteve për programin e Rilindjes Urbane”.

Në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Balluku theksoi se, “akti më i rëndësishëm që paraqitëm sot në qeveri, ishte projektvendimi për miratimin e programit shtetëror të sigurisë në operimin e aviacionit civil”.

Sipas saj, ky projektvendim ka si objekt rritjen e sigurisë në aviacion, që është një nga fushat më të rëndësishme në ekonominë e vendit.

“Shqipëria në 3 vitet e fundit ka bërë një hap kualitativ të jashtëzakonshëm në aviacion civil, duke nisur me ndërtimin e aeroportit të Kukësit, që tashmë prej kohësh është operacional, teksa e kemi parë që javën e fundit kompania WizAir është angazhuar që së bashku me kompanitë e tjera të rrisë skedulën duke duke nisur nga data 1 maj me katër fluturime në destinacione të ndryshme, duke e bërë kështu aeroportin e Kukësit plotësisht funksional dhe konkurrent me aeroportin e Tiranës dhe si rrjedhojë uljen e çmimit të biletave që sot po t’i referohemi destinacionit të Lodrës, dikur me 700 euro sot qytetarët shqiptar dhe ata të huaj mund të fluturojnë nga aeroporti i Kukësit vetëm me 70 euro dhe më pak”, tha Balluku.

vijon….