ATSH/- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë një delegacion të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Balla tha se takimi u zhvillua në kuadër të intensifikimi edhe më të thellë të bashkëpunimit mes dy Kuvendeve dhe dy grupeve parlamentare.
Sipas Ballës, Partia Demokratike e Kosovës është një parti që ka një kontribut të pazëvendësueshëm në jetën politike të Kosovës, prej momentit kur Kosova filloi rrugëtimin e saj si një shtet sovran dhe i pavarur.
“Partia Demokratike e Kosovës është një parti që ka një kontribut të pazëvendësueshëm në jetën politike të Kosovës, prej momentit kur Kosova filloi rrugëtimin e saj si një shtet sovran dhe i pavarur. PDK ka një rol të rëndësishëm në reformat që kanë çuar përpara Kosovën drejt anëtarësimit në BE dhe të gjitha reformat për fomrësimin e shtetit ligjor të Kosovës. Kemi diskutuar gjithashtu me kryetarin Krasniqi për intensifikimin e bashkëpunimint në të gjitha nivelet mes grupeve parlamentare, por më së shumti dhe mes dy parlamenteve në funksion të koordimit me delegacionet e përbashkëta, por edhe në funksion të shkëmbimit të ekspertizës”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se Kuvendi i Shqipërisë ka tashmë një eksperiencë të cilën duhet ta vendosë edhe në dispozicion të Kosovës për shumë ligje.
“ Ajo që vlen të theksohet në këtë takim është komunikimi i vazhdueshëm mes dy grupeve parlamentare. Dua ti uroj dhe njëherë mirëseardhjen z. Krasniqi në Kuvendin e Shqipërisë në këtë vizitë zyrtare, ku do të ketë mundësinë të takohet me të gjitha autoritetet e larta shtetërore dhe politike të vendit në dobi të intensifikimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, nënvizoi Balla.



























